TIRANE– Tom Doshi ka reaguar pas publikimit të lajmit se Departamenti Amerikane i Shteti i ka ndaluar atij dhe familjes së tij hyrjen në SHBA. I kontaktuar nga “BalkanWeb”, deputeti Doshi është shprehur se nuk ka dijeni për një vendim të tillë, ndërsa sqaron edhe rastin kur ka aplikuar për vizë amerikane.

“Nuk kam dijeni për këtë vendim. Mua nuk më ka ardhur një vendim i tillë. Gruaja ime dhe fëmijët e mi kane pasaportë australiane. Ndërsa unë kam patur vizë amerikane, por më ka skaduar. Në momentin që kam aplikuar sërish për vizë, më kanë kërkuar dokumente nga prokuroria. Por duke qenë se në atë kohë isha në hetim nuk çova dokumente shtesë, dhe viza mbeti pezull”, shprehet Doshi.

Në artikullin e publikuar thuhej se “Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë”.

Në përgjigje të kësaj, deputeti Doshi tha se “Në jetën time nuk kam firmosur asnjë dokument po të duan të ma vërtetojnë korrupsionin”.

Në një lidhje telefonike për ‘News24’ Doshi sqaroi situatën përmes një interviste. Ai tha se nuk ka lidhje me çështje korruptive dhe abuzime me tendera siç thuhet, ndërsa shtoi se është taksapaguesi më i madh në Shqipëri.

INTERVISTA
Zot Doshi si u njoftuat për këtë lajm?

U njoftova prej jush që më morët në telefon

S’kishit dijeni?
Jo jo se dija. Ala skam mbaruar drekën. E para fëmijët e mi kanë pasaportë australiane, s’kanë nevojën për vizë amerikane. As gruaja ime dhe as fëmijët e mi s’kanë qenë në Amerikë. Unë kam qenë në Amerikë, kam aplikuar në ambasadë kur kam qenë në hetim, siç e dini. Nuk më është thënë që më refuzohet kërkesa. Unë kisha një konflikt me kryeprokurorin (Adriatik Llallën) siç dihet. Dhe këtu ngeli çështja, vetëm tek kërkesa. Për punë korrupsioni skam firmosur asnjëherë. Jam opozitar, skam qenë kurë në pushtet.

A keni komente lidhur me akuzat që ju bëri DASH, se akuzoheni për korrupsion?
Me bërë korrupsion, duhet të jesh ministër, kryeministër. S’jam marrë asnjëherë me tendra dhe skam pasur lidhje. Jam taksapaguesi më i madh në Shqipëri.

Përse mendoni se DASH duhej të thoshte kështu?
Kjo është puna e tyre, që janë marrë me këtë çështje. Unë jam i pastër dhe skam frikë. Jam arrestuar në mënyrë të paligjshme.

Çfarë do të bëni tani? Cilat janë hapat që do të ndërmerrni?
S’ja vlen të merrem me këtë punë. E ndjej veten të pastër. Skam probleme si Adriatik Llalla që merret me korrupsion. Unë do kërkoj të drejtën time, kjo është arsyeja për sot. Një akuzë e tillë…ju e shihni se si CNN sulmon Trump që ‘ka blerë zgjedhjet’ dhe ai vazhdon e bën presidentin. Ju mediat e bëni kaq të madhe (Qesh). Kush është në politik, do goditet.

S’është një media që e thotë, por DASH. A keni frikë ju që mund të hapet hetim nga prokuroria?
Për ça të kem frikë unë? A jeni në terezi? A e merrni vesh? A po e merr vesh?! Mos bëni pyetje budallaqe. Jam njeri më i votuar në Shqipëri. Populli më ka votuar, mos u merrni me këto ça thuhen. Me këto tenderat ca thoni ju. Unë paguaj taksa dhe jam në rregull me shtetin. Mos u shqetësoni për mua. Po për Llallën a keni ndonjë lajm, a do arrestohet apo jo?

Akoma jo. Ne presim informacione nga ju…
Doshi: Ahh. Faleminderit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: