Poeti Visar Zhiti është përzgjedhur në listën e poetëve për “Poetin Laureat” që jepet nga Qendra Kombëtare e librit.
Përmes një letre të hapur ai kërkon që emri i tij të hiqet nga lista.
LETRA E HAPUR
QENDRËS KOMBËTARE TË LIBRIT
DHE LEXIMIT
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit
Duke u dëshiruar mbarëvajtje librit dhe lexuesit, një marrëdhënie të pandarë midis tyre, të dashur dhe të bukur, i drejtohem Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, e cila në murin e saj në FB, po nxjerr radhazi emrat e kandidatëve për poetin laureat të vitit.
Sot pashë emrin tim. Nuk e di a ka juri të caktuar për përzgjedhjen, që t’i drejtohesha dhe nëse vetë autorët e kërkojnë këtë titull a duhet të paralajmërohen, por unë kërkoj që emri im të mos jetë në këtë konkurrim, duke falënderuar për konsideratën.
Arsyeja nuk është vetëm pse tani nuk jam në atdhe dhe largësia duket se do të krijonte pengesa, edhe pse të tejkalueshme për botën moderne sot, por dhe nëse do të emërohesha vërtet, sepse më thonë që kështu veprohet, unë nuk e di se cila është detyra, të paktën në Shqipëri, se e kanë dhe SHBA e vende të tjera dhe e di çfarë bëhet, por ç’synim dhe impakt arrin në jetën tonë kulturore? Nuk e kuptoj, them me modesti, për të mos thënë që më duket pa kuptim për gjendjen.
Nuk konkurrojnë autorët, sipas meje, por konkurojnë veprat, vlerësohen me çmime botimet në poezi, prozë, ese, etj, ku subjektiviteti është i pashmangshëm, etj, dhe përfitoj nga rasti ta falenderoj Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, jurinë e saj që libri im me poezi, “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” mori vitin që shkoi, çmimin e lartë kombëtar, që u mirëprit nga kritikë letrarë dhe si një akt moral.
Pra, që të mirëkuptohemi, thjesht kërkoj që emri im të mos jetë në listën për kandidat të poetit laureat, që, nëse duhet për të krijuar një traditë të re, ai le të merret nga gjeneratat më të reja, me shpresën për të bërë mirë atë që duhet, shpalosje të vlerave, jetës shoqërore t’i japin sa më shumë poezi, aq sa të jetë e mundur, se vendi ynë ka poetë.
Sinqerisht,
Visar Zhiti
Chicago, 16.02.2023