I afronte në makinën e tij tip “Punto”, jashtë diskotekës “Old fashion” në Milano dhe duke përfituar nga lodhja e tyre ose përdorimi i alkoolit, i përdhunonte në makinë, në rrugë të braktisura në orët e para të mëngjesit. Dy vajzat që janë përdhunuar, janë të dyja mbi 18 vjeç, në rastin e fundit bëhet fjalë për një shtetase të huaj. Autori i përdhunimeve u kap të enjten nga policia italiane. Bëhet fjalë për një 30-vjeçar shqiptar që akuzohet për të dyja ngjarjet, të ndodhura në 11 nëntor të vitit të kaluar dhe në 24 korrik të vitit 2016.

Shqiptari jeton në Itali prej shumë vitesh me dokumente të rregullta dhe punonte në një piceri të familjes në Milano. Ndaj tij u lëshua një urdhër arresti nga gjykata.

DETAJI QË KUJTUAN VIKTIMAT
Ajo që bëri që shqiptari maniak të zbulohej ishte një zemër e kuqe e vendosur në taksinë ku ndodhte përdhunimi. Dy viktimat e abuzimit kanë arritur ta kujtojnë disi vagullt këtë detaj, duke i dhënë mundësinë policisë italiane të përjashtojë shumë persona të tjerë. Një nga vajzat kishte deklaruar se abuzuesi kishte një theks prej napolitani, por pas hetimeve u bë e ditur se bëhej fjalë për një të ri shqiptar me precedentë të mëparshëm.

Shqiptari ishte ‘mbërthyer’ falë detajit që ishte në makinën e tij: një zemër të madhe të kuqe prej rrobe që varej në pasqyrën e mesit në kabinë.
Hetuesit e kanë identifikuar objektin në sajë të imazheve të marra nga një telefon celular i një prej dy viktimave, e cila, ndërsa po shkonte në shtëpi me disa miq që iknin para saj, e kishte kapur rastësisht në video. Në të dyja rastet, 30-vjeçari ka qenë para të njëjtës diskotekë. Po kështu hetuesit thonë se burri ka përfituar nga gjendja gjysmë e ndërgjegjshme e dy femrave.

HETIMET
Hapi i parë i policisë ishte izolimi i rreth 15 taksive që punonin në mënyrë abuzive gjatë orëve të natës. Më pas rrethi u mbyll, falë njohjes me anë të fotografive dhe kështu u bë i mundur identifikimi. Prova e pakundërshtueshme ishte më pas ADN-ja. Në trupat e të dy viktimave u gjetën gjurmët e tij, më pas u konfirmuan nga analizat. Hetuesit e skuadrës së lëvizshme të Milanos, të drejtuar nga Lorenzo Bucossi, janë të bindur se bëhet fjalë për një përdhunues serial dhe kanë bërë apel që kushdo që dyshon të denoncojë atë çfarë ka ndodhur.
“Është e rëndësishme që gratë të njihen me atë çfarë iu ka ndodhur grave të tjera, sepse njohja është ilaçi i vërtetë për të evituar episode të ngjashme dhe që viktimat të denoncojnë”, ka thënë prokurorja Maria Letizia Manella në konferencë shtypi.
Rasti i parë, i vitit 2016 ishte arkivuar: ishte prokuroria e Campaniles që bëri të mundur rihapjen e hetimeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb