Shkrimtari dhe gazetari Enkel Demi në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 ka folur për librin e tij  “I rënë nga qielli”.

Një libër që ka humor, sarkazëm, humor të zi! Por sa kohë iu desh Enkel Demit për ta shkruar këtë libër dhe pse e quajti “I rënë nga qielli”?

“Titulli pastaj është metaforik, loja e fjalëve në këtë rast qëndron, pasi “i rënë nga qielli” ne përdorim për një njeri fatlum, për një njeri që sjell mbarësi. Por në rastin konkret kemi megjithëmend një njeri që bie nga qielli.

Në fakt është libri i vetëm ku subjekti nuk ishte në kokë. Pasi botova para 3 vjetësh Rrethimin, kisha vendosur të rrija ca kohë, pasi edhe shkrimtari i duhet të reflektojë, por edhe lexuesi duhet të marri frymë, dmth nuk mund ta bombardojmë.

Pikërisht në atë periudhë që isha në një lloj qetësie, më thirri një miku im i vjetër Romeo Zegali, që më tregoi një histori, që e pashë veten duke mbajtur shënime dhe kështu rinisa të shkruaj i Rënë nga Qielli. Draftin e parë të librit e kanë përfunduar vjet në tetor dhe nëse do të nxitoja mund të kishte dalë edhe vjet në panair, por doja të ripunoja historinë. Besoj se është një formë e mirë.

Bëhet fjalë për ushtarë amerikanë të vdekur në tokën shqiptare, që e kemi mbajtur gjithmonë të fshehtë, pasi nuk kemi dashur të themi se në Shqipëri ka pasur aleatë anglo-amerikanë që kanë luftuar. Ka disa anglezë të vrarë, janë disa amerikanë të vrarë. Janë fantazma pasi kanë humbur me nam e nishan dhe medaljonet që kanë ushtaratë madje. Ranë në një tokë krejt të harrume, por është edhe fati i mirë për dikë, kur ra ai avioni sipër shtëpisë, sepse ndërtoi jetën e vet në bazë të kësaj fatkeqësie.

Janë fantazma sepse ata kërkojnë në mes të asgjesë”, u shpreh Demi, duke dhënë detaje mbi librin e tij.

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb