“Të ngrejë dorën” kush e priste një De Ketelaere të tillë… Viti i dytë tek Atalanta po rezulton ai i shpërthimit për belgun, protagonist me një ecuri të paimagjinueshme deri para pak muajsh: 10 gola dhe 9 asiste, kur jemi vetëm në dhjetor. Ende ka njerëz që nuk iu besojnë syve, veçanërisht ata që e kanë parë nga afër te Milani, ku për një kohë të gjatë ishte “fantazmë”.
Pak personalitet, shumë frikë, shumë pak duele të fituara dhe paaftësia për të qenë vendimtar me një fanellë që peshon. Ndoshta është efekti i trajnimit të Gasperinit, ndoshta është presioni më i ulët që karakterizon një ambient të shëndetshëm si ai i Bergamos… Realiteti është se Charles ka ndryshuar tërësisht fytyrë për mirë.
Në çdo gol, asistim apo lëvizje cilësore të tij, tifozët e Milanit ndahen në dy grupe. Nga njëra anë janë ata që e konsiderojnë largimin e ish-lojtarit të Brugge si tepër të nxituar; nga ana tjetër ata që thonë: “Gjithçka normale, të luash tek ne është një gjë krejt tjetër. Tani 23-vjeçari ka marrë hov, aq sa është bërë lideri i një skuadre që seriozisht synon të dalë në krye edhe në Itali.
Gasperini, mjeshtër në përdorimin e qasjes së “shkopit dhe karotës”, beson se De Ketelaere mund të bëjë më shumë: “Jam i bindur që do të shënojë shumë gola me kokë, ka marrë vetëbesim. Goli i dytë i ndeshjes së fundit ishte i jashtëzakonshëm, e deshi me gjithë forcën”. Ja, pikërisht ajo dëshirë për të lënë gjurmë, që i mungonte te Milani. Me “Scudetto” që tani mund të mbërrijë në Bergamo, një skenar i paimagjinueshëm në momentin e ardhjes së tij në Itali, në verën e vitit 2022, pas ndjekjes së gjatë.