Gabigol, dështimi i Interit sezonin e kaluar, po shkëlqen pas huazimit te Santosi ku ka ndihmuar skuadrën si me gola ashtu edhe me lojë. Në një inetrvistë të fundit 22-vjeçari pranon se vijon të ndjekë skuadrën zikaltër.

Gabigol gjithashtu deklaron se në të ardhmen dëshiron t’i kthejë mbrapsht gjithë admirimin që tifozët e Interit kishin për të.

Duket sikur keni rilindur te Santosi… Çfarë ka ndodhur me ju?

Eksperienca në Europë, dhe jeta në Milano, më kanë rritur shumë si profesionalisht, ashtu edhe në aspektin njerëzor. Te Santosi po luaj rregullisht dhe ndjej besim rreth vetes, dy elementë që janë thelbësorë në paraqitjen e një futbollisti.

Çfarë kujtimesh ke nga Interi? A i ndjek ndeshjet e zikaltërve në televizor?

Te Interi kalova një periudhë mjaft të mirë në aspektin e rritjes, pasi mësova shumë gjëra mbi futbollin. Kam keqardhje që nuk luajta sa duhet dhe nuk arrita të përmbush pritshmëritë që ishin ngritur ndaj meje. Ndjek shpesh ndeshje të Interit në televizor, është e vërtetë.

Keni qenë një nga lojtarët më të dashur të tifozërisë zikaltër, pavarësisht se luajtët shumë pak. E mendoni rikthimin?

Patjetër që po, pasi unë jam lojtar i Interit. Pres që të përfundojë sa më mirë periudha e huazimit te Santosi, për të diskutuar më pas për të ardhmen time. Do të rikthehesha me kënaqësi te Interi, por këtë herë për të luajtur dhe për t’i shërbyer skuadrës. I uroj shumë suksese zikaltërve dhe falënderoj shumë edhe tifozërinë, që më ka mbështetur pa masë. Dua që një ditë t’ua shpërblej besimin ndaj meje.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: