NGA AURORA KOROMANI* TIRANË- Një i ri ka përfunduar në prangat e policisë, pasi është gjetur ditën e djeshme teksa lëvizte me një armë e cila rezultoi “speciale sportive”, rreth e rrotull banesës së Kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Burime pranë uniformave
blu, bëjnë me dije se bëhet fjalë për 16-vjeçarin K.U., nga Lezha, i cili paraditen e djeshme është vënë re teksa lëvizte pranë shtëpisë së kryeprokurorit me një armë të modifikuar në dorë. Menjëherë pas kësaj, forcat e Komisariatit Nr.1 kanë arrestuar të riun dhe kanë nisur hetimet
për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pas disa orëve në komisariat, adoleshenti
është lënë i lirë.
ARRESTIMI
Blutë e Komisariatit Nr.1 kanë vënë në pranga ditën e djeshme të riun me banim në Lezhë, i cili rreth orëve të para të së hënës, është parë i armatosur
afër banesës së Kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Kanë qenë efektivët e Gardës që ruajnë shtëpinë e kryeprokurorit ata që kanë vënë re lëvizjet e çuditshme të të riut dhe menjëherë të alarmuar kanë lajmëruar forcat policore. Burime pranë këtyre të fundit, sqarojnë se ngjarja është shënuar pranë rrugës “Gramoz Pashko”, në afërsi të zonës së Qytetit Studenti në kryeqytet, aty ku është edhe banesa e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme. Të njëjtat burime shtojnë se 16-vjeçari K.U., mëngjesin e
së hënës është parë duke u sjellë disa herë rreth e rrotull banesës që ruhet nga oficerët e Gardës dhe sapo këta të fundit kanë vënë re që i riu mbante
në dorë edhe një armë, kanë njoftuar uniformat blu. Menjëherë pasi është lokalizuar, adoleshenti është vënë në pranga dhe është shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr.1 në Tiranë. Mësohet se gjatë verifikimeve të policisë, është konstatuar se arma që mbante 16-vjeçari me vete ishte
një armë e modifikuar nga pjesë të ndryshme dhe se kjo armë nuk përdoret për qitje, por vetëm për të shkaktuar zhurmë, dhe se plumbat e saj janë të veçantë. I arrestuari është marrë në pyetje nga oficerët e policisë dhe është
pyetur për qëllimin e vizitës së tij në Tiranë, e konkretisht për arsyen se përse ai është parë pranë shtëpisë së Kryeprokurorit të Përgjithshëm.
Nga burime policore mësohet që i riu të ketë thënë gjatë marrjes në pyetje, se në kryeqytet ka ardhur për qejf dhe se nuk ka pasur qëllim që të vriste kryeprokurorin, por se ka qenë pranë shtëpisë së tij në mënyrë rastësore.
“Unë nuk e di ku e ka shtëpinë kryeprokurori, po prisja një shok atje. Arma që mbaj nuk është e rrezikshme, e mbaj për qejf. Nuk kisha si qëllim që të
vrisja njeri”, mësohet të jetë shprehur K. U. gjatë marrjes në pyetje. Ndërkohë, uniformat blu kanë kryer edhe një kontroll në banesën e të riut
në Lezhë, për të parë nëse ka pasur arsenal armësh apo ndonjë provë tjetër materiale të dyshimtë në banesë, por mësohet se nga kontrolli në banesën e 16-vjeçarit, nuk është gjetur asnjë provë tjetër që mund ta lidhë atë me ndonjë atentat të dyshimtë. Ndërkohë, mësohet se i riu nuk ka qenë person me precedentë të mëparshëm penalë.


(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Etiketa: