FRANCE-Në një kohë që shqiptari Florenc Beqiraj vijon të jetë në gjendje kome për shkak të mosfunksionimit të pjesës më të madhe të trurit dhe pothuajse asnjë shpresë për të jetuar, ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Sipas MEPJ, shqiptari 23-vjecar ka tentuar vetëvrasjen me varje në një burg të Marsejës, ndërsa po mbahen kontakte me spitalin dhe familjarët. Gjithashtu ministria thotë se për momentin nuk ka një version zyrtar të ngjarjes dhe vijojnë hetimet.

“Shtetasi shqiptar Florenc Beqiraj, lindur më 27.09.1994, ndodhet që prej datës 15 dhjetor 2017 në spitalin Nord të Marsejës, pavijoni i reanimacionit Léon, në gjendje kome për shkak të mosfunksionimit të pjesës më të madhe të trurit, pothuajse pa asnjë shpresë për të jetuar. Pacienti mbahet në jetë nëpërmjet makinerive të asistencës vitale.

Nga informacionet e deritanishme Sherbimi konsullor pranë Ambasadës tonë në Francë, është informuar nga burime të autoriteteve policore, se kjo situatë ka ardhur si pasojë e një tentative për vetëvrasje (me varje), që shtetasi në fjalë ka kryer gjatë qëndrimit të tij në qendrën e grumbullimit të personave pa dokumente, në Marsejë.

Sidoqoftë, për momentin nuk ka një version zyrtar të ngjarjes, të konfirmuar nga organet hetimore e gjyqësore, duke qenë se hetimet ende nuk kanë përfunduar.

Shërbimi konsullor, që në datën 15 dhjetor 2017,ka qenë në mënyrë të pandërprerë në kontakt me spitalin, familjarët dhe me autoritetet që po merren me hetimet. Dje, pranë pacientit u paraqit i ati”- thuhet në njoftimin e ministrisë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: