TIRANE- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një i ri pretendon se është plagosur nga policia. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se pre e dhunës ka rënë 24-vjeçari Sidion Tabaku. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e djeshme ne zonën e Alliasit në Tiranë.

Bezati raporton se dje i riu ka qenë duke drejtuar një motor, por nuk i ishte bindur urdhrit të policisë. Kjo e fundit është vënë në ndjekje të tij, ndërsa thuhet se ka shtënë edhe me armë në drejtim të 24-vjeçarit, i cili ka marrë plumb në këmbë. Në një intervistë për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’, Tabaku nga ambientet e spitalit ka treguar dhunën e ushtruar sipas tij nga policët, ndërsa shenjat e dhunës janë ende të dukshme në fytyrë.

Ai tha se nuk e dinte që policia ishte vënë në ndjekje të tij. “Nuk e dija qe policia me ndiqte mua. Policet qëlluan 4 here me armë drejt meje. Pasi u rrezova kur me plagosen me kanë dhunuar me shkelma. Më lanë në rrugë dhe u larguan”, tha i riu.

Burime nga Policia e Tiranës thanë për gazetaren Bezati se i riu është plagosur në këmbë, ndërsa për veprimet e policisë, SHCBA po kryen hetimet. Nga verifikimet e bëra në polici, Tabaku rezulton si person i dyshuar për një vjedhje disa vite më parë. Ndërkohë, policia pretendon se patrulla nuk ka qëlluar në drejtim të tij, por plumbi mund të ketë bërë rikoshet. Kujtojmë se sot deputeti i PD-së Ervin Salianji denoncoi ngjarjen në fjalë.

INTERVISTA
Çfarë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme?

Rreth orës 23:10 apo 23:20 isha duke kaluar në drejtim të spitaleve, dhe aty ishin dy patrulla policie. Ato shoh që po më vinin nga pas. Unë u tremba dhe i jap gaz motorit, por ata shtinë me armë.

Shtinë me armë drejt teje?
Po shtinë drejt. Ndërkohë vazhdoj eci prapë dhe dëgjoj një krismë të dytë. Sa kaloj një karburant, futem në lagje. Më pas dëgjoj dy krisma të tjera. Një nga plumbat më kapi në këmbë. Më pas bie përtokë.
Ata më pas nisën të më gjuanin.

S’të ndihmoi policia?
Për ça do më ndihmonte policia.

Kush të solli në spital?
Ishte një oficer i rajonit nr.4 ai që lajmëroi ambulancën. Më pas më dërguan këtu në spital.

Punonjësi i policisë ishte rastësisht aty apo ishte pjesë e patrullës?
Jo ishte rastësisht. Për fat më futi direkt në ambulancë dhe më çoi në spitalin Ushtarak.

A i frikësoheshit ndonjë vepre penale që u larguat nga patrulla apo?
Jo isha shumë në rregull, me dokumente dhe të gjitha.

Po pse nuk i qëndruat patrullës atëherë?
Nuk ndalova se isha i frikësuar se thash çfarë ka ndodhur që vinin me kaq vrull. S’kisha asgjë, as drogë, asgjë tjetër. Isha shumë i pastër.

Çfarë dëmtimesh keni marrë?
Kam mpiksje gjaku në kokë, frakturë, dhe një plumb që kam marrë në këmbë.

Çfarë të kanë thënë mjekët?
Më kanë thënë se do rrish tre ditë në spital dhe do bëjmë disa skanera dhe analiza për mpiksjen e gjakut.

Çfarë do të bëni në këtë situatë kur pretendoni se jeni dhunuar nga policia?
Unë dua që të vihet drejtësia në vend, asgjë tjetër.

Keni bërë kallëzim në SHÇBA?
Akoma. Po presim që të vinë eprorët të marrin në pyetje.

Nuk keni dhënë asnjë deklarim në polici?
Deri tani jo, pasi nuk ka ardhur askush. Pres që të vijë policia, të marrë në pyetje. Se dimë se çfarë do bëhet më pas.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb