VLORË

Ky është momenti i arrestimit të 38-vjeçarit Tesilvan Basho gjatë operacionit “Selenica”. Me veshje sportive, një çantë marsup në mes, Basho, i konsideruar person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore është gjunjëzuar nga forcat e policisë dhe me duart pas kokës prangoset.


Nuk ka asnjë reagim nga ana e 38-vjeçarit, për të cilin policia tha se në momentin e ndërhyrjes ka tentuar të reagojë dhe të largohet, por falë veprimeve profesionale të Policisë është neutralizuar dhe vënë në pranga. Arrestimi është bërë në një objekt bilardo.



Operacioni për arrestimin e tij u krye nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Speciale “Renea”, Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë.

Bashon, Gjykata e Torinos/Itali në vitin 2016 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja dhe transportimi pa leje i armëve të zjarrit”.

Më datë 24.01.2008, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri dy shtetase që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, Itali, njërën prej të cilave e shfrytëzonte ky shtetas për prostitucion.
Shtetasi Tesi Basho në 2016 është arratisur nga burgu i Rebibbos në Itali.

Gjithashtu u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Vlorë, i vitit 2019, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Tesi (Tesilvan) Basho, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Policia ka sekuestruar 4 armë zjarri Kallashnikov me 6 krehëra me fishekë, 1 armë zjarri pistoletë me dy krehëra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, 10 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 5 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, 900 euro, si dhe dokumente të ndryshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb