Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi mesditën e sotme ka tentuar të vrasë një bashkëqytetar, duke e qëlluar me armë zjarri. Policia raporton se 38-vjeçari L. L. ka qëlluar me armë shtetasin K. Rr., pas një sherri me të për motive të dobëta.

Ky i fundit është qëlluar teksa ka qenë duke punuar në autolavazhin e tij, ndërsa policia është vënë menjëherë në ndjekje të autorit, i cili dyshohet se e ka hedhur armën në lumin Buna për të fshehur gjurmët.

Njoftimi i policisë:
Qëllon me armë në drejtim të një shtetasi, kapet autori, në kohë rekord, nga policia e Shkodrës. Nga strukturat e policisë së Shkodrës, falë reagimit të shpejtë, u arrestua në flagrancë shtetasi:
L. L., 38 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, Shkodër.

Mesditën e sotme, shtetasi L. L., pas një konflikti për motive të dobëta, në lagjen Skënderbeg, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtatasit K. Rr., i cili ka qenë duke punuar në autolavazhin e tij.

Personi i arrestuar dyshohet se armën që ka përdorur e ka hedhur në lumin Buna, gjatë ndjekjes nga Policia, ku vijon puna për gjetjen e saj. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentative” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: