Gjykata e Kurbinit ka lënë në burg 48-vjeçarin e akuzuar për përdhunimin e së bijës minorene. Seanca e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa Shkëlqim Isufi është shfaqur i shkujdesur dhe i qetë brenda në kafazin e xhamit. Ai nuk ka folur asnjë fjalë dhe nuk është deklaruar për akuzën para gjykatës por avokati mbrojtës Edmond Bunaj tha se 48-vjeçari e mohon akuzën.


Gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij për veprën penale të “Marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari” duke i dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Po ashtu, 48-vjeçari akuzohet edhe për “Marrëdhënie seksuale me të mitur”.


Ai u arrestua pas dëshmisë tronditëse të vajzës në emisionin “Fiks Fare”. E bija e akuzoi atë se e kishte rrahur, lidhur dhe përdhunuar disa herë prej 3 vitesh. Në video vajza akuzoi policinë se e kishte shtrënguar të tërhiqte një kallëzim penal të bërë ndaj babait, duke e kërcënuar se nëse akuzat nuk provoheshin do të dënohej për kallëzim të rremë.


(BalkanWeb)