Historia e familjes Gjyla u trajtua sot në studion e emisionit “Me zemer të hapur” në News 24. Në vitin 2001 bashkëshorti 28-vjeçar humbi jetën në një aksident automobilistik, ndërsa jeta e saj ndryshoi rrënjësisht. Liria rrëfen momentet më të vështira teksa duhej të kujdesej për vajzën e vogël e duhej të sillte në jetë fëmijën e dytë, i cili nuk e njohu kurrë të atin.


Ngjarja e kobshme e ndodhur në shtetin grek ka mbetur akoma dhe sot një pikëpyetje e madhe për të dhe fëmijët. Raportet me familjarët e të ndjerit janë të ftohta, ndoshta ata e dinë të vërtetën që ajo prej vitesh po e kërkon.

Lirie Gjyla deklaroi në emision se: “Burri më ka vdekur në vitin 2001, quhej Fatos Gjyla, kur ka ndërruar jetë ka qenë 28 vjeç. Punonte si emigrant në punë të ndryshme në Greqi, ishte i pajisur dhe me dokumenta. Ndërroi jetë gjatë një aksidenti automobilistik, po udhëtonte me motor. Për një periudhë kohe kam qënë edhe unë atje. Atje ka lindur goca, më pas jam kthyer në Shqipëri”.

Gruaja vijoi rrëfimin e historisë së saj të trishtë: “Ai u kthye sërish në Greqi për të bërë dokumentat dhe teksa priste që të përfundonin, në këtë periudhë humbi dhe jetën. Pas 3 ditësh që kishte ndodhur aksidenti erdhi trupi, por mua nuk mu dha asnjë lloj shpjegimi. Në atë kohë ka qenë në Greqi dhe vëllai i Fatosit pasi ishte arratisur nga burgu gjatë vitit 1997, por asnjë shpjegim nuk më dha”,- thotë ajo.

Liria është nëna e 2 fëmijëve, ndërsa në çastin kur ka ndërruar jetë Fatosi ka qënë shtatzënë me fëmijën e dytë. Raportet e saj me familjen e bashkëshortit janë të tendosura dhe të ftohta, tregoi ajo.

“Ndoshta ata e dinë të vërtetën e vdekjes së Fatosit, por mua nuk ma kanë thënë kurrë. Unë dhe fëmijët duam të dimë të vërtetën dhe si u ndoq çështja. Vajza është 19 vjeçe, ndërsa djali që se ka parë kurrë të atin është 17 vjeç. Ata meritojnë të dinë të vërtetën”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb