TIRANE – Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vjet burg Elvis Gaçajn, i cili ishte “shënjestra” e atentatit ku u vra me armë zjarri Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, pasagjerë në automjetin e tij. Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 1 tetor 2015, te lulishtja “1 Maji”, në Tiranë. Gaçaj u deklarua fajtor për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Sipas Gjykatës, ai është zotëruesi i një sasie prej 3.3 gr kokainë, e sekuestruar pas ngjarjes, në banesën e viktimës Kevin Rugova. Për këtë sasi droge, e mitura Kristjana I., e cila u gjet në banesën e Rugovës, sqaroi për Prokurorinë se lënda narkotike i ishte dhënë Kevinit nga Elvis Gaçaj, pasi Kevini ishte përdorues i kësaj droge. Dënimi përfundimtar i Gaçajt u ul në 3 vjet e 4 muaj burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Autorët e ngjarjes ishin Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo. Këta të fundit, më herët shpjeguan për hetuesit e çështjes se krimin e kryen pasi Elvisi i ka keqtrajtuar herë pas here. Sipas autorëve, pak para ngjarjes Elvisi u ka propozuar atyre që të punonin për të në shpërndarjen e drogës, por ata nuk kishin pranuar dhe pikërisht për këtë gjë ishin dhunuar.

Gjatë seancës, Elvis Gaçaj, përmes avokatit të tij mbrojtës kërkoi deklarimin të pafajshëm, duke mohuar akuzën e ngritur ndaj tij, me pretendimin se sasia e kokainës e gjetur në banesën e Rugovës nuk i përkiste atij.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb