Studiuesi dhe pedagogu i universitetit ‘Luarasi’, Evarist Beqiri i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ka folur mbi figurën e Ismail Qemalit dhe gjendjen e vendit në ditën e Pavarësisë së 110-të të shtetit shqiptar.
Autori i librit “Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit”, deklaroi se Qemali ka qenë një njohës dhe admirues i kulturës dhe gjuhës shqipe, ndërsa shtoi se vendi i tregoi botës në vitin 1912 se nuk është një Turqi e vogel, por një shtet europian, edhe pse sipas tij me shumë sakrifica duke lënë jashtë kufijve edhe territoret shqiptare.
“Ismail Qemali ka qenë një admirues i kulturës shqiptare dhe njohës i mirë i gjuhës shqipe. Kemi qenë të parët që filluam iniciativën e pavarësisë me shumë sakrifica duke lënë jashtë edhe një pjesë të kombit, i treguam botës që nuk jemi një Turqi e vogël, por jemi të aftë që të bëjmë shtet. Pavarësia shënon shkëputjen 500-vjeçare nga realiteti i pushtimit Osman dhe afrimin me kulturën evropiane. Ne kemi qenë evropianë dhe vazhdojmë të jemi evropianë. Këtë trashëgimi duhet ta çojmë përpara dhe jo të luftojmë me njëri-tjetrin.Jam shumë optimist për Shqipërinë e të ardhmes, ky është një nga momentet më të mira për shqiptarët.Nuk jam i mendimit se ky vend nuk bëhet, e bënë ata burra në 1912.”, tha ai.
(BalkanWeb)