Një ditë pas ngjarjes tragjike të vdekjes së papritur të dy foshnjave 5-muajshe, ngjarje kjo që tronditi qytetin e Beratit, prindërit rrëfejnë momentet e fundit të jetës së bebeve dhe si rrodhën ngjarjet mëngjesin e djeshëm. Eduart dhe Merushe Agalliu tregojnë për gazetaren e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Eneida Petova se mëngjesi i djeshëm ishte ashtu si për çdo ditë, ku pasi i kishin ushqyer fëmijët me qumësht kutie siç bënin gjithmonë, i kishin vendosur në krevatin e tyre për të fjetur.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pasi ata kishin pirë kafen e mëngjesit që nuk kishte zgjatur më shumë se 20-minuta, nëna Merushja kishte shkuar në dhomën ku ndodheshin fëmijët dhe kur i kishte prekur kishte vënë re se ata ishin të dy të ftohtë. Në këtë moment, ku fëmijët nuk reagonin aspak ajo së bashku me bashkëshortin e saj, Eduartin, kanë filluar të bërtasin nëpër shtëpi pasi nuk kishin kuptuar se çfarë kishte ndodhur me bebet dhe përse ata nuk merrnin frymë. Menjëherë prindërit kanë njoftuar ambulancën por fëmijët ishin të vdekur që në shtëpi dhe pas mbërritjes në spital, i kishin çuar në morg. Prindërit tregojnë se janë në pritje të përgjigjeve të analizave për të marrë vesh shkakun e vërtetë të vdekjes së fëmijëve.

Ndërkohë që nëna e foshnjave tregon momentet kur ka ndodhur ngjarja dhe krevatin ku ishin duke fjetur dy foshnjat R.Agalliu dhe R.Agalliu dhe deklaron se fëmijët e saj nuk vuanin nga asnjë sëmundje, përveçse kishin lindur pak të vegjël në peshë. Babai Eduart Agalliu rrëfen mes lotësh edhe gjendjen e vështirë ekonomike në të cilët jeton familja e tij. Eduarti pohon se në familjen e tij i vetmi që punonte ishte ai pasi nusja nuk mund të punonte se duhet të kujdesej për binjakët dhe dy fëmijët e tjerë 5 dhe 6-vjeç. Eduarti pohon se ai punon në të zezë, vetëm 5 ditë në muaj dhe të ardhurat që ai siguron janë 50 mijë lekë (të vjetra).

“Me këto pak lekë është e pamundur të ushqej familjen, por s’kam çfarë të bëj tjetër. Më kanë ndihmuar me qumësht dhe ushqime disa shoqata, por edhe me këto nuk kemi mundur dot të ushqehemi si gjithë të tjerët”, -shprehet ai. Eduarti kërkon nga shteti zbardhjen e të vërtetës në lidhje me shkaqet e vdekjes së dy fëmijëve të tij binjakë 5-muajsh, ndërkohë që tregon se vogëlushët i sollën nga morgu në shtëpi dhe më pas i varrosën në orën 17:00 pasdite, pasi nuk përballonin dot gjendjen e rënduar të dy fëmijëve të tjerë kur panë në mes të shtëpisë dy arkëmortet me vëllezërit e vdekur.

Edhe për dy gjyshërit e binjakëve 5-muajsh që gjetën vdekjen mëngjesin e djeshëm në krevatin e tyre, vdekja është e pashpjegueshme. Ahmet dhe Merushe Agalliu pohojnë se fëmijët nuk ishin afër sobës në momentin kur ndërruan jetë por në krevatin e tyre në dhomën e gjumit. Gjyshja shpjegon momentet e tmerrshme kur panë se fëmijët ishin pa shenja jete dhe dyshon se vdekja e papritur mund të ketë ardhur nga ndonjë temperaturë e fshehur ose mund të jenë prekur nga “sëmundja e fëmijëve”. Gjyshi, Ahmeti, mes lotëve rrëfen gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën jeton djali i tij së bashku me familjen dhe kërkon ndihmë nga shteti për t’i gjetur një punë djalit të tij që ushqen i vetëm familjen në të zezë. Ai pohon se kanë vajtur disa herë në bashki për të kërkuar ndihmë ekonomike por nuk ju është dhënë.

Një tjetër dëshmitare e ngjarjes së rëndë ka qenë edhe halla e fëmijëve, Aldeta Muçogllava. Ajo tregon mes lotësh momentin kur kuptuan se fëmijët nuk merrnin më frymë, ndërsa shton se ata nuk vuanin nga asnjë sëmundje dhe nuk kishin shkuar asnjëherë në spital për vizita.
Dy foshnjat binjake 5-muajshe gjetën vdekjen papritur mëngjesin e ditës së Diel në banesën e tyre në periferi të qytetit të Beratit, në lagjen “Uznovë”. Pas mbërritjes në spital pa shenja jete ata u dërguan në morg ku iu nënshtruan autopsisë mjeko-ligjore, nga e cila nuk ka rezultuar të ketë pasur helmim apo shenja dhune në trupin e fëmijëve. Analizat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, nga e cila pritet brenda një afati kohor prej 2-javësh përgjigja që do të konfirmojë edhe shkaqet e vdekjes së fëmijëve 5-muajsh.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb