Një grua nga Durrësi rrëfen sot në emisionin “ Me Zemër të Hapur” brengën e saj. 76-vjeçaria Fatime Haxhiu kërkon të shohë nipin e saj dhe të komunikojë me ish-gruan e djalit. Gjyshja rrëfen kalvarin e gjatë të dhimbjes, si dhe pengun që e mundon prej shumë vitesh. Djali i saj i vetëm u nda nga jeta në vitin 2000. Ai jetonte prej vitesh në Gjermani, ku kishte ndërtuar dhe familjen e tij. Histori nisi në vitin 1995, kur djali erdhi në Shqipëri me vajzën e zemrës, që kish njohur në Gjermani.

Të rinjtë kurorëzuan lidhjen e tyre në martesë. Gruaja rrëfen se edhe pse asokohe familja nuk ishte mirë ekonomikisht, sërish prindërit sakrifikuan dhe i organizuan dasmën të birit. Në Durrës u ngjiz edhe fëmija i çiftit, i cili do të lindte më pas në Gjermani. Djali dhe nusja u rikthyen në Gjermani dhe jeta vazhdoi normalisht. Por 6 vjet më pas nëna do të merrte lajmin e kobshëm, se i biri kishte humbur jetën në një aksident automobilistik.


I riu u nda nga jeta, duke lënë pas djalin 6 vjeçar, bashkëshorten dhe familjen e tij në Shqipëri. Gjyshja rrëfen se fillimisht nusja dhe ajo i ruanin kontaktet, duke shkëmbyer letra dhe fotografi, por ky komunikim zgjati vetëm 3 vjet pas humbjes nga jeta të të birit, më pas 76-vjeçaria thotë se e veja nuk dërgonte më asnjë letërkëmbim. Asokohe, gruaja ju drejtua një emision televiziv shqiptar, i cili bëri të mundur rikomunikimin midis të moshuarës dhe nuses.


Gruaja rrëfen se arriti të merrte disa fotografi të nipit, por edhe pas këtyre tentativave ajo nuk arriti të rivendoste komunikimin me ish-nusen e djalit dhe as me nipin, i cili asokohe ishte minoren. Sot, kjo gjyshe kërkon nipin, të vetmin trashëgimtar të djalit të saj. Gjyshja do ta shohë djalin përpara se të ndahet nga kjo jetë. Ajo gjithashtu kërkon t’i japë atij dhe nuses pjesën e shtëpisë, e cila ende sot mbahet peng në përmbarim, pasi ata nuk kanë arritur dot të gjejnë gruan gjermane.


Rrëfimi i të moshuarës:
Djali iku me një shok nga lagjja në Gjermani, kaluan disa muaj u njoh me një vajzë Nensin. Unë isha në punë në atë kohë, ishte viti ‘93, ai më thoshte se është vajzë e mirë shumë dhe ishte në shkollë atëherë. Ai thoshte se Nensi e donte. Ai ishte pa punë dhe në Gjermani filluan t’i largonin emigrantët. Ajo e fshihte, që të mos e gjente policia. Ajo shkoi bashkë me djali në Itali, ishte 18-vjeçare kur iku me tim bir në Itali fillimisht dhe më pas erdhi me Gazmendin në Shqipëri. Me vinte turp që po më vinte nusja gjermane po më gjente shtëpinë në gjendjen ku ishim. Ajo qëndroi 3 muaj në shtëpinë time. Ajo ishte vajzë shumë e mirë. Ngeli shtatzënë këtu me djalin. Ne shqiptarët jemi shumë të dashur, gjermanët nuk ishin kështu. Ajo ishte indiferente dhe e thjeshtë.

Ajo filloi të mësonte disa fjalë shqip, unë e vuaj pse ajo u shkëput me ne, të më çonte një letër, unë i kam shkruar kartolina dhe letra plot, ajo dërgonte shumë pak. Mblidhja pensionin dhe i bëja pako djalit dhe ia çoja në Gjermani. Djali im në varreza, ndërsa unë i shkruaja nipit dhe i çoja pako. Nuk kam shpresë tjetër, po digjem nga brenda pavarësisht se dukem e fortë, kështu unë jetoj me fotografitë e tyre, sa herë mërzitem i hap dhe i shikoj, më mirë mos ta kisha njohur nipin, sepse e mbaja nga dora dhe e shëtisja dhe e përjetoj shumë keq tani ndarjen me nipin Gustinin, dua ta takoj.

Kjo iku përpara në Gjermani, djali priste t’i dilte viza Shengen, i doli viza dhe iku pastaj dhe Gazi. Në Hanover të Gjermanisë djali bëri aksident automobilistik dhe vdiq. S’kisha rroba të zeza, Nensi nuk donte ta sillte trupin këtej ta varrosnim këtu, sipas fjalëve që më kanë ardhur. Vajza më ka fotografuar gjithë vendin e aksidentit. Nensi kaloi në gjendje shumë të keqe pas vdekjes së Gazit.

Ajo ka ikur me makinë dhe ka identifikuar trupin e Gazit. Dy herë kam folur me të në telefon. Burri pati moshën dhe iku, po djali më iku i ri shumë. Nensi nuk erdhi në varrim. Vajza ime që shkoi atë ditën e ngjarjes në Gjermani dhe më thoshte se djali i vogël thërriste “babi, babi”. Për mua djali duhej të prehej këtu se shkoj atje dhe shplodhem, më para shkoja shumë shpesh tani më rrallë, edhe lotët më janë tharë s’kam më lot.

Në 2003 kam folur për herë të fundit me Nensin. Ajo ka marrë lekë për aksidentin e Gazmendit, ajo sigurisht që i ka marrë atje, sepse dhe mua dhe burrit tim na takonte të merrte diçka. Unë s’mund të merresha me gjyqe, s’kisha mundësi financiare. Të vijë Nensi bashkë me djalin, Shqipëria është shumë e bukur jo si atëherë kur ka ardhur Nensi.

Adriana, vajza e Fatimes nga Italia: Ju dëgjova gjatë gjithë programit. Dastini s’na është përgjigjur asnjëherë vetëm na ka thënë që unë jam djali i Gazit, po s’na kthen asnjë lloj përgjigje tjetër, i kemi thënë që ke pasuri që të takojnë, i kemi çuar edhe fotografi asnjë përgjigje s’na jep.Nipit i them të jetë mirë me shëndet, unë jam halla e tij. Vajza ime është me tumor. Ne kemi shumë halle, duam të flasim me ta, ata s’na japin asnjë përgjigje. Si do ja bëjmë tani?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb