Një vajzë 19-vjeçare është arrestuar, pasi ka inskenuar rrëmbimin e saj për të fshehur lekët që i kishte vjedhur kunatës. Burime pranë policisë së kryeqytetit bënë me dije se në pranga ka përfunduar Elsa Kazanxhiu, banuese në Tiranë. Fillimisht, e reja ka bërë kallëzim të rremë në polici, ku ka deklaruar se më 19 janar të këtij viti ishte rrëmbyer në banesë nga disa persona që nuk i njihte, të cilët e kishin mbajtur të mbyllur në një bodrum në Tiranë.

Mësohet se grupi hetimor mori në pyetje familjarët e vajzës, të cilët kanë pohuar se ngjarja mund të jetë sajuar nga vetë vajza. “Nuk bëmë denoncim, sepse kjo nuk është hera e parë që vajza ka ikur nga shtëpia. Ajo është larguar edhe disa herë të tjera”, mësohet të kenë thënë familjarët e 19-vjeçares. Sakaq, në pyetje ishte marrë edhe kunata e saj, 28-vjeçarja me iniciale A.A., e cila ka kallëzuar se motra e të shoqit i kishte vjedhur në banesë një shumë prej 800 mijë lekësh të vjetra. Nga hetimet paraprake të policisë dyshohet se e reja është larguar me dëshirë nga banesa dhe për të bërë më të besueshëm rrëmbimin e saj, kishte gërvishtur veten me thonj.
(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: