POGRADEC- Prindërit e të riut të vrarë, Klement Hoxhallari i kanë drejtuar një letër të hapur Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrit Edi Rama si dhe ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjanit, ndërsa kërkojnë drejtësi.

Nëna e 27-vjeçarit të vrarë rreth 1 viti e gjysmë më parë në Korçë, Adelina Hoxhallari ka kërkuar riekspertim, zbardhjen e tablateve si dhe hetim prokuror.

Nga ana tjetër, nëna e 28-vjeçarit akuzoi prokuroren Dorina Bejko për manipulim dhe fshehje provash, ndërsa në të njëjtën kohë kërkoi hetim për gjyqtarin Stavri Kallço, i cili sipas saj liroi vrasësin në këmbim të parave. “Gjyqtari është i korruptuar. Duam drejtësi!”, tha Adelina Hoxhallari.

AKUZAT
Ditën e djeshme, në emisionin “Me zemër të hapur” në New24, prindërit e 27-vjeçarit Klement Hoxhallari, i cili u vra me thikë në qershor të vitit të kaluar, pas një sherri për motive pronësie, kanë akuzuar organet e drejtësisë për manipulim të hetimeve.

Sipas nënës së të ndjerit, Adelina Hoxhallarit, Kallço, gjyqtari që gjykoi çështjen, vendosi masën e dënimit me 12 vite burg, me gjykim të shkurtuar për autorin e vrasjes së të birit, Elton Bregu, ndërsa Redi Kazerma që u dënua për “Moskallëzim krimi” u la i lirë. Familjarët nga ana tjetër, akuzuan dhe prokuroren Dorina Bejko, për manipulim të procesit hetimor.

LETRA E HAPUR
Drejtuar
Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani
Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama
Ministrit të Drejtësisë z. Ylli Manjani

Unë Nevzat Hoxhallari babai i Klement Hoxhallarit dhe Adelina Hoxhallari, nëna e Klementit pas humbjes së djalit tonë të vetëm i cili u vra dhe u masakrua barbarisht nga 8 persona ku vetëm dy prej tyre u akuzuan por për ironi të fatit njëri prej tyre mori dënimin qesharak ndërsa vrasësi kryesor Redi Kazerma sot është i lirë pasi bleu me para drejtësinë ndërsa ne vritemi për herë të dytë nga sistemi i drejtësisë. Themi drejtësi e ashtuquajtur e tillë por është korrupsion i gjallë. Djali ynë u vra, na iku drita e syve ndërsa në shtëpi kanë mbetur dy prindër të vrarë për së gjalli.

Themi kështu pasi me ikjen e djalit nuk e duam jetën, nuk gjejmë asnjë arsye për të jetuar dhe e vetmja gjë që na mban gjallë është zbardhja e së vërtetës dhe këtë do bëjmë derisa të kemi frymë. Shpirti ynë nuk gjen paqe prej datës 9 qershor 2014 dhe nuk do të gjejë derisa duart e lyera me gjakun e fëmijës sonë të marrin dënimin për krimin e kryer dhe jo të shëtisin të lirë në këtë botë të padrejtë.

Besimi se e drejta do të vihej në vend u thye kur gjykata e apelit në Korçë liroi Redi Kazermën, autori kryesor i vrasjes së Klementit. Besimi ynë u thye në mes kur gjyqtari i kësaj gjykate Stavri Kallco, duke qeshur nën buzë dha vendimin duke mos marrë parasysh akuzat e rënda ndaj autorëve të masakrës së ndodhur në qendër të Pogradecit në mes të ditës. Dy prindër të vrarë shpirtërisht, me zemër të përvëluar nga dhimbja që po i vret çdo ditë iu drejtohen ju të nderuar sepse vetëm tek ju shohim një dritë në tunelin e errët që na kanë futur sistemet e drejtësisë. Me përgjërim kërkojmë të zbardhet e vërteta dhe vetëm e vërteta.

I nderuar zoti Bujar Nishani, i nderuar z. Kryeministër Edi Rama, z ministër i drejtësisë Ylli Manjani ne prindërit e Klement Hoxhallarit kërkojmë respektim të trupit të djalit tonë, kërkojmë zbardhjen e tabulateve të Redi Kazerma, Elton Bregu, Petrit Cekici, Gëzim Cekici, Dianeta Cekicidhe Agron Cekici. Hetim të menjëhershëm të prokurores së Pogradecit Dorina Bejko e cila ka fshehur provat dhe na ka kërcënuar familjarisht dhe ka lëshuar urdhër arresti për të dy prindërit e Klementit pa asnjë arsye. Hetim dhe marrje masash të menjëhershme për gjykatësin e gjykatës së Apelit Korçë, Stavri Kallco i cili ka liruar autorin kryesor Redi Kazermën pasi është paguar nga ky i fundit për lirimin e tij. Theksojmë se për çdo akuzë tonën disponojmë fakte ndaj kërkojmë mbështetjen tuaj.
Me respekt Nevzat dhe Adelina Hoxhallari.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: