Rekordmeni shqiptar në atletikë, Pavllo Mihali, babai i Marvinit që u vra me thikë për një karikues celulari, ka drejtuar sot një apel për median duke i kërkuar të zbardhë me profesionalizëm e vërtetësi vrasjen e djalit të tij.

Sipas tij mediat nuk po e lenë të qetë të birin edhe aty ku ka shkuar tani. “Një tjetër hall më mundon. Janë mediat, janë persona e njerëz dashakeqës, por që gjejnë vend në portale të ndryshme që nuk më lenë të qetë në hallin e madh që më ra. Duan që Marvin ta fusin te grupi që shiti celularin apo karikuesin, që kishte e s’kishte lidhje me këta njerëz. Unë di ta them me gojën plotë, Marvi im nuk kishte lidhje me ata persona, as me personat që na bënë gjëmën. Nuk kishte lidhje as me celularin apo karikuesin, as nuk kishte shitur, dhe as nuk kishte blerë gjë. Nuk dinte asgjë se ç’do të ndodhte. Një shok i tij, Armendi, e mori me vete se do të shkonin diku sa të mbaronin një punë dhe do vazhdonin bashkë dhe aty ndodhi tragjedia”, është shprehur Pavllo Mihali për neësbomb.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb