Deputeti demokrat Dashnor Sula dogji sot xhaketën e tij në ambientet e jashtme të Parlamentit në kuadër të reagimit të ligjvënësve opozitarë.
Sula tërhoqi vëmendjen me veprimin e tij, ndërsa disa orë pas këtij veprimi, u shfaq në studion e rubrikës “Opinion” në News24, ku ka shpjeguar pse e dogji xhaketën.
Sula u shpreh se “djegia e xhaketës sot në oborrin e Kuvendit, erdhi si pasojë e irritimit me gjithçka që po ndodhte”. Ai tha se “gjithë kjo që po bën opozita bëhet për qytetarët”.
“Kam parë më parë vuvuzela, përmbysje karrigeje, më gjeni një deputet që është dënuar më shumë se 10 ditë dhe nuk lejohej të hynte në Kuvend, flas për opozitën e atëhershme. Kishte edhe tek ne koka të nxehta në mbledhje të grupit, por Berisha thoshte opozita është në hall. Duhet t’i lejohet hapësirë të shprehet. Këta duan të marrin para edhe nga karriget”, tha ai.
(BalkanWeb)