Detaje të reja në lidhje me me zbulimin e autorit të zjarrvënies tek zyra noteriale e Aleko Anagnostit në Sarandë, kanë dalë në dritë. Nën drejtimin e Shefit të Komisariatit të Sarandës, Klodian Kondi, grupi hetimore ka vëzhguar dhjetëra kamera sigurie në një pjesë të mirë të lagjes nr.1 të qytetit deri sa ka mbërritur tek autorit.

Burime për BalkanWeb bëjnë me dije se zyra noteriale ishte e rrethuar nga 4 banka të nivelit të dytë ku policia ka sekuestruar disa kamera sigurie. Autori i maskuar pasi shqyen derën, hyn brenda dhe vendos zjarrin. Pasi del, përdor shkallaret e qytetit për t’u ngjitur nga rruga nr.2 në atë nr.3.

Nga kamerat e një biznesi filmohet teksa hedh në koshin e mbeturinave një shishe. Pikërisht kjo shishe e cila rezultoi me mbetje benzine, u sekuestrua nga policia dhe i’u nënshtrua ekspertizës daktiloskopike dhe biologjike. Pas kësaj autori përdor sërish shkallaret për t’u ngjitur nga rruga nr.3 drejt asaj nr.4 dhe largohet në brendësi të disa pallateve.

Policia ka ndjekur gjithë intenerarin derisa ka arritur të identifikoje 41-vjecarin Marjo Sinani. Sipas burimeve policore, ky shtetas e ka të përsëritur këtë vepër pasi e ka kryer edhe në 2008 ndaj një ish-drejtuesi institucioni në Sarandë, të cilit i dogji makinën.

Burime bëjnë me dije se është tashmë e sigurt se Sinani, një përdorues i drogave të forta, është paguar për të djegur noterinë e Aleko Anagnostit me qëllim zhdukjen e provave materiale. Për këtë, policia prej disa orësh po punon për identifikimin e autorit.

Ndërkohë me urdhër të Shefit të Komisariatit të Sarandës, policë të patrullës së rendit kryejnë shërbim 24 orësh para zyrës noteriale të Anagnostit pasi kjo e fundit është sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Sarandës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb