I zhdukur prej 30 nëntorit, është gjetur trupi i pajetë i 56-vjeçarit, Edmond Veseli, banor i lagjes nr.2 të qytetit të Krujës. 56-vjeçari ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij, që kërkuan ndihmën edhe të qytetarëve për të gjetur të afërmin e tyre.
Trupi i pajetë i Veselit është gjetur nga çobanët në vendin e quajtur Bruz Shkallë në afërsi të fushave të mejdanit. Nga të dhënat e para dyshohet se Veseli ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, por do jete ekspertiza ajo që do të përcaktojë shkakun e vdekjes.
Edmond Veseli ishte parë për herë të fundit më 30 nëntor rreth orës 14:30, në afërsi të gjimnazit të Krujës. Edmond, ose siç njihet ndryshe “Edi i Derexhikut” (pasi shpesh viziton Pazarin e Vjetër), nuk është parë më nga kjo datë.
Familjarët e tij kanë bërë denoncim në Policinë e Krujës 24 orë pas humbjes së tij.
Pak ditë më pas ishte vëllai i tij, Altini, ka bërë apel për ndihmë, duke kërkuar nga kushdo që mund të kishte informacion apo e ka parë Edmondin, të ndihmojë në lokalizimin dhe gjetjen e tij.
Sipas familjes, Edmondi nuk ka pasur probleme me shëndetin mendor dhe nuk ka pasur konflikte me askënd. Telefoni i tij ka qenë e fikur që nga 30 nëntori.
Në ditën e fundit kur është parë ai ishte i veshur me një xhup ngjyrë blu dhe pantallona ngjyrë bezhë.