TIRANË – Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për Viktor Islamin dhe Adrian Ogocin, të cilët akuzohen për rrëmbimin e Ridvan Lamajt.

Islami është dënuar me 20 vite burg dhe Ogoci me 19 vite nga Krimet e Rënda. Dyshja akuzohet për rrëmbimin e Lamajt në qershor të vitit 2015, për të cilin që prej atëherë nuk dihet më asgjë.

Sipas dëshmitarëve ai është parë për herë të fundit më 15 qershor 2015, kur është rrëmbyer me një automjet në qytetin e Sarandës dhe prej asaj dite nuk dihet më asgjë për të.

Prokuroria thotë se rrëmbimi i tij ka ndodhur për prishje të pazarave të drogës, aq më tepër që personat nën akuzë janë të skeduar në këtë fushë.

Lamaj, sipas hetimeve të kryera, ka qenë korrier droge duke punuar në favor të të pandehurve dhe sipas akuzës, rrëmbyesit kanë dyshuar se ai ishte implikuar në zhdukjen e një dërgese me kanabis.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: