Në emisionin “Me Zemër të Hapur”, në News24, preku sot zemrat e shqiptarëve historia e dhimbshme e 67-vjeçarit Hasan Zoku, nga Peshkopia. Babi dhe nusja e djalit të ndjerë rrëfyen vdekjen e mistershme të 37-vjeçarit.

Babi tregoi momentet e dhimbshme të kësaj ngjarjeje, një vrasje e cila ndodh nga një gjaknxehtësi momentale midis kushërinjve. Mbrëmjen e 30 shtatorit të 2018-ës, në orën 21:00 të mbrëmjes, humbet jetën babi i dy fëmijëve, Idajet Zoku.

Nusja e të ndjerit, Valbona Zoku, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshortin deri në orën 14:00 të drekës, ndërsa telefonata e fundit që ka bërë me të ka qenë në orën 20:00, një orë para se të ndodhte vrasja. Ai ishte nisur me armë në dorë për në Arrës të Peshkopisë, pas një zënke të rëndë me grushte me dy kushërinjtë. Ata e përndjekin dhe e vrasin.
Vrasësit ndodhen prapa hekurave tashmë, por familja e Hasanit tha në emision se nuk do e falin këtë krim me dashje dhe për motive shumë të dobëta. Sipas tyre, kjo ishte një vrasje pa arsye. Shkak bëhet gjyshi i tyre, i cili gëzon emër të mirë në fshat. Për më shumë ndiqni historinë…!

Valbona Zoku, bashkëshortja: Mbrëmjen e 30 shtatorit te 2018-ës, bashkëshorti mori mamin dhe babin për t’i përcjellë për në Tiranë. Më fal, se kam emocione. Qëndroi në Peshkopi që të hapte zanatin. Bëri pazarin. Më merrte vazhdimisht në telefon gjatë ditës. Rreth orës 12:00 më merr në telefon dhe më thotë çfarë të marr për fëmijët. Në orën 14:00 flasim sërish. Rreth orës 16:00 u vonua, nuk erdhi në shtëpi. Shqetësohemi. E merr vajza në telefon, por i përgjigjet kushëriri Aleksandri dhe i thotë: mos u bëj merak sepse babi është me ne dhe do kthehet më vonë. Rreth orës 18:00 bashkëshorti kthehet në shtëpi dhe shkon te dhoma e miqve. Kishte një shenjë në kokë. E pyes, çfarë ke? Më thotë: asgjë s’kam, por largohu mos të ndodh gjë ty.

Unë isha e shokuar me vajzat. Kur zbret më poshtë thotë janë zënë më çunat e Mentor Ballës. Futu brenda, sepse ata po më ndjekin. Me kaq largohet. Nuk vonojnë 10 minuta, vijnë Aleksandri me Vangjelin dhe pyesin për vjehrrin dhe burrin. Ishin të tmerruar. Shikonin me një shikim dyshues, mendonin se po i gënjej unë. Në orën 19:30 më telefonon burri dhe më thotë shko te dhoma e pritjes dhe mblidhi fishekët që më kanë ra për tokë. Në orën 20:00 më thotë çfarë po bën? I them: janë të trishtuar fëmijët. A ka qenë Lutfi Kaleshi aty? I them jo. Ka qenë vetëm Aleksandri dhe Vangjeli. I them a ke bërë gjë? Mendo për fëmijët. Nuk më thotë asnjë fjalë. Kjo është telefonata e fundit me burrin.

Rreth orës 21:00 më telefonon babi im dhe i them vajzës që të marrim gjyshin në telefon t’i tregojmë për ngjarjen se mos ndodh diçka dhe më thotë pse s’më ke treguar. Vajza më thotë: jo, mos e shqetëso gjyshin. Unë e telefonova vjehrrin dhe i tregoj ngjarjen. Vjehrri merr në telefon Mentor Ballën dhe i thotë shko mbrapa, sepse s’kam ca bëj. Ai nuk interesohet. Babai im më thotë: a e di çfarë ka ndodhë? Unë i them jo. Më thotë: Idajetin e kanë therë fëmijët e Mentorit. Vajzat tronditen. Ka qenë nëpër spitale nga trauma që ka pësuar. Për momentin më merr babi dhe më thotë do të shkoj te spitali. E telefonoja vazhdimisht, por më thotë akoma s’kam arritur. Ai nuk e dinte që jam vetëm me fëmijët dhe më thotë: Idajeti ka mbaruar.

Vajza ishte te telefoni dhe fillo shkul flokët. Unë i thoja nuk është asgjë, por ishte e pamundur. Isha vetëm me fëmijët. Në fshatin e çunave të dajës është një lokal. Atje janë takuar rreth orës 14:00. Aleksandri kishte ardhur nga Italia. Në atë moment zihen dhe thonë: unë i ngjaj gjyshit? Këto i marrim vesh nga letrat e gjykatës. Ne nuk e dinim arsyen e konfliktit. Bashkëshorti konsumonte alkool, por jo në atë gjendje. Atë ditë ka konsumuar. Shamata të tilla nuk bënte. Ngjarja ka ndodhur rreth dy orë. Asnjë nuk u interesua për ne. Nëse familja e Mentor Ballës do kishin reaguar do ishte ndaluar kjo ngjarje.

Nuk mund ta parandaloja bashkëshortin, sepse ishte i pirë. Ai ishte në gjendje të tregonte. E kontrollonte vetën. Por kisha fëmijën në krah dhe kisha frikë të përballesha me te. Ai mori armën dhe fishekët. Më tha: nuk vras njeri, por për të mbrojtur vetën po e marr, sepse ata janë dy vetë. Thjeshtë dua t’i tremb. Ne iu çuam fjalë në mort. Kanë qenë gjithë familja e viktimës. Erdhën babai dhe nëna, më pas nuk janë parë. Kalojnë pak kohë dhe erdhi gjyshi i fëmijëve me një nip dhe thotë: të më falësh Vangjelin, sepse s’ka marrë pjesë në ngjarje. Sipas letrave të dy kanë marrë pjesë në vrasje. E kanë masakruar me thikë. Ata kanë ardhur për ta vrarë. Trupi i bashkëshortit është gjendur në lokalin Arrës. Janë afruar fshati. Biseda e parë se kush i ngjan gjyshit ka filluar rreth orës 16:00. Më pas kanë shkuar në shtëpi. Djemtë i kanë treguar babait të tyre, por s’është bërë asnjë lëvizje nga ana e tij. Rreth orës 21:00 të mbrëmjes ka ndodhur vrasja.

Nuk kemi marrëdhënie me familjen Balla. Kur erdhi gjyshi për të kërkuar falje, vjehrra i thotë: “ma ngjallë djalin e vdekur, se po  të nxjerr nipin nga burgu”. Ne nuk i falim. Nuk kemi arsye. Çështjen e kemi lënë në dorë të drejtësisë. E kanë çuar pa arsye në tokë. Bashkëshorti ka shkuar në spital me një ambulancë pa infermiere. S’ka pasur asnjë ndihmë, sepse do kishte jetuar. Sot jetojmë vetëm me një asistencë ekonomike.

Hasan Zoku, babai: Faleminderit prej jush që marr pjesë në këtë studio. Qëkur kam humbur djalin, kam humbur tre fëmijët dhe nusen. Kur ka ndodhur ngjarja nuk kam qenë në Peshkopi. Po të kishin rrethuar djemtë e Ballës do ishte parandaluar çdo gjë. Kjo punë ka qenë mes djemve. Ai është larguar nga shpia që mos të trembte fëmijët. Ata tremben shumë. Kur isha jashtë studios në oborr, mbesa më thoshte: kjo makina këtu është e babait. Ata dy djem duhen varur. Nëse do të gjendesha në shpi s’do të kishte ndodhur kjo ngjarje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb