TIRANË

Presidenca ka reaguar pas nismës së maxhorancës për të rishikuar të gjitha ligjet organike të institucioneve në të cilat përcaktohet betimi i një anëtari për të shmangur krijimin e situatave që pengojnë funksionimin e organeve kushtetuese.

Në një postim në “Facebook”, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi shkruan se kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe për të instaluar drejtësinë e re të betimeve buzë Lanës. Ai deklaron se në ‘inaugurimin e Lanakushtetuës’ Presidendi do jetë vetë atje i pari me gjithë popullin shqiptar.

POSTIMI I PLOTË

Të dashur kolegë gazetarë!

Ju kërkoj ndjesë për reagimin e vonuar pas insistimit tuaj për një koment lidhur me sihariqin që i ka dhënë mbrëmë Tao Tao mbarë vendit tonë, se Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend.

Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.

Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e LanaKushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit!

Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!

Fb Tedi
Fb Tedi

NISMA E QEVERISË
Maxhoranca do të rishikojë të gjitha ligjet organike të institucioneve në të cilat përcaktohet betimi i një anëtari.

Përplasja me Presidentin e Republikës për betimin e gjyqtarëve kushtetues ka bërë që qeveria dhe maxhoranca të ulen dhe të punojnë për të gjetur mekanizmat ligjorë për të zhbllokuar situata të ngjashme në të ardhmen. Ishte Kryeministri Rama ai që inicioi ndërhyrjet në legjislacion gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit, ku u diskutua dhe miratua rezoluta, përmes së cilës i kërkohej Presidentit Ilir Meta t’i jepte fund shkeljeve të Kushtetutës.

“Ky Kuvend duhet të marrë masa ligjore kushtetuese, për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti flagrant dhe brutal bllokimi të atij që zyrën e Presidentit e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar Parlamentin, për të shantazhuar ndërkombëtarët, për të shantazhuar popullin shqiptar. Në dritën e kësaj ngjarjeje të re, Komisioni i Ligjeve dhe gjithë deputetët, duhet të kontribuojnë për të riardhur këtu në Kuvend, më shpejt se vonë dhe për të votuar këtu neutralizimin e akteve të Presidentit, e akteve antikushtetuese dhe antiligjore”, do të deklaronte Kryeministri.

Burime nga maxhoranca thanë se gjatë javës do të ulen ekspertët më të mirë të saj, pjesa më e madhe e të cilëve janë dhe anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve për të propozuar mekanizmat zhbllokues ligjorë, që do të bëjnë të mundur funksionimin e institucioneve, shkruan Panorama.

Mësohet se formulat e betimit do të rishikohen në ligjet organike të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme por dhe të SPAK-ut, anëtarët e të cilëve pritet të betohen së shpejti. Për të shmangur ngërçin e krijuar, maxhoranca do të propozojë betimin e anëtarëve në institucionin që i ka zgjedhur, ose në atë të emëruar, nëse nga Presidenti i Republikës do të ketë hezitim, ose refuzim.

Ata dhanë dhe raste konkrete që mund të kthehen në ligj, si për shembull, kur anëtari i Gjykatës Kushtetuese refuzon të betohet para Presidentit të Republikës, ai e humb mandatin. Të tilla përcaktime pritet të bëhen edhe në rastet kur Presidenti i Republikës refuzon të pranojë betimin e një gjykatësi kushtetues, duke detajuar hapat konkretë se si situata në këtë institucion nuk shkon drejt bllokimit.

Maxhoranca shprehet se nuk do të ndërhyjë në Kushtetutë, por vetëm në ligjet organike të institucioneve, ndërsa do të ketë edhe konsulencën e Euralius dhe Opdat-it, të cilët monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme legjislacionin shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb