Policia e Hjustonit njoftoi të mërkurën se kishin identifikuar një të dyshuar për vrasjen e një kardiologu të shquar, i cili dikur kishte qenë mjeku personal i ish-presidentit amerikan George H.W. Bush.

Shefi i policisë Art Acevedo u tha gazetarëve se një urdhër arresti ishte lëshuar për 65-vjeçarin Joseph James Pappas, i cili sipas hetuesve vrau Dr. Mark Hausknecht ndërsa ai lëvizte me biçikletën e tij për të shkuar në punë mëngjesin e 20 korrikut, shkruan FoxNews.

Ndërsa sipas NyDaily News, burri kreu krimin pasi mjeku Hausknecht operoi 20 vite më parë nënën e Pappas, por ajo vdiq gjatë operacionit dhe për humbjen i biri fajësoi kardiologun e njohur.

“Nuk e di kur ai vendosi ta bënte këtë, por e kam shumë të njohur mënyrën se si është kryer kjo vrasje dhe ka qenë e planifikuar”, tha shefi i policisë Art Acevedo gjatë një konference shtypi.

Pappas, i cili nuk është parë prej të paktën 36 orësh, konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm, paralajmëroi shefi i policisë.

Presidenti Bush mbajti zi për humbjen e mjekut të tij. “Marku ishte një kardiolog fantastik dhe një njeri i mirë. Unë do të jem gjithmonë mirënjohës për kujdesin e tij të jashtëzakonshëm dhe të dhembshur. Familja e tij është në lutjet tona”, tha ai në një deklaratë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb