Korçë

Policia e Korçës ka identifikuar personin, që dha alarmin për bombë në makinën e gjyqtarit Markeliano Kuqo. Gazetarja Lorena Kodra raporton për “BalkanWeb” se autori i telefonatës së rreme është Neim Behari.

Uniformat blu raportojnë se 34-vjeçari, banues në Lapardha, po vuan dënimin në burgun e Drenovës, për veprën penale të vrasjes. Ka qenë pikërisht 34-vjeçari që ka telefonuar policinë, duke pretenduar se në mjetin tip “Benz” të gjyqtarit Kuqo ishte vendosur eksploziv, por që pas veprimeve të kryera, alarmi ka rezultuar i rremë.

Njoftimi i policisë:

Identifikohet dhe procedohet autori i telefonatës së rreme të kryer sot tek organet e rendit, sipas të cilës, në mjetin e një gjyqtari ishte vendosur lëndë plasëse.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 15.10.2019, referuan materialet shtesë pranë Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, në ngarkim të shtetasit:

N.B, 34 vjeç, banues në Lapardha, Berat (i cili aktualisht vuan dënimin në IEVP-Drenovë, për veprën penale “Vrasja”).

Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore rezultoi se ky shtetas, kishte telefonuar Policinë nga ambjentet e IEVP-së, duke pretenduar se në mjetin e gjyqtarit M.K, ishte vendosur lendë e dyshuar plasëse, e cila nuk u konstatua gjatë kontrollit të ushtruar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb