Nga ELVIS ZAIMI
Përmirësimi i dhënies së drejtësisë, duke plotësuar dhe përmirësuar cilësinë e tekstit të Kushtetutës, miratuar një paketë të re ligjore për organizimin institucional të pushtetit gjyqësor, si dhe duke “pastruar” njëkohësisht trupën gjyqësore nga gjyqtarët e korruptuar dhe të paaftë profesionalisht, janë premtimet që klasa drejtuese politike i ka bërë qytetarit shqiptar në emër të “reformës në drejtësi”. Mirëpo, që këta objektiva të përkthehen në përfitime të prekshme për çdo qytetar shqiptar, pavarësisht statusit të tij shoqëror, duket se duhet investuar më shumë në drejtim të forcimit të karakterit të gjyqësorit dhe krijimit të një identiteti shqiptar kushtetues. Deklarata eksplicite e njërit prej anëtarëve më me eksperiencë të Gjykatës Kushtetuese, gjatë shqyrtimit të kërkesës për heqjen e masës së pezullimit të ligjit të vetting-ut, “vetting- u i gjyqësorit do të bëhet dhe shumë mirë që do të bëhet; po reforma e politikës, a do të bëhet?”, natyrisht që nuk mund të mos lërë pa reflektuar çdo qytetar luajal ndaj rendit republikan, si dhe çdo profesionist të ndershëm të drejtësisë.
Kjo shprehje, përveç të vërtetës së hidhur që zbulon lidhur me zhgënjimin e trupës së gjyqtarëve nga politika dhe me marrëdhëniet reale që kanë ekzistuar ndërmjet politikës dhe gjyqësorit, afirmon në realitetin shqiptar edhe një të vërtetë tjetër, atë se “asnjë sistem politiko-juridik nuk mund të jetë më i mirë sesa njerëzit që e vënë atë në zbatim”. Kjo tezë dekonstruksioniste e shkollës së studimeve kritiko-ligjore në SHBA, që i kritikon fenomenet por nuk e ndryshon situatën, d.m.th. “e lë fenomenin e së keqes ashtu siç është”, pa ndërtuar një situatë më optimiste, më duket shqetësuese lidhur me të ardhmen e karakterit të pushtetit gjyqësor. Dihet se shoqëria shqiptare në këta 25 vjet, në jo pak raste ka mbajtur qëndrim pasiv ndaj fenomeneve negative, madje shumë njerëz janë hipnotizuar me obsesionin fatalist se brenda realitetit shqiptar “sëmundjet” e keqfunksionimit të shtetit vetëm se mbarten ose transformohen, por nuk shërohen, dhe se shpresa e vetme për të dalë nga ky rreth vicioz mbeten ndërkombëtarët.
Pas rënies së kushtetutës staliniste, Shqipëria pati një ligj themeltar për dispozitat kryesore kushtetuese, si dhe një tekst të plotë dhe shumë të mirë kushtetute në vitin 1998. Nga ana tjetër, përparimi në fushën e vlerave të mirëfillta të konstitucionalizimit shqiptar ishte shumë më modest sesa progresi i teksteve kushtetuese. Progresi i arritur në drejtim të vlerave kushtetuese konsiston kryesisht në përfitimin që konstitucionalizimi shqiptar pati nga “e drejta kushtetuese kozmopolite”, kryesisht ajo e prejardhur nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, së cilës pritet t’i mbivendoset edhe ajo e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, pas së cilës universalizmi i të drejtave të njeriut do të plotësohet me një shtresëzim “të vlerave të BE-së”. Janë të pakta vendimet e Gjykatës Kushtetuese ku mund të shquash një “nerv” karakteristik shqiptar, apo që të lënë “shijen” e një intuite gjyqësore të krijuar nga vullneti i gjyqtarit kushtetues për t’u përballur me “të keqen sociale” të perceptuar gjerësisht.
Arsyetimet stereotipe dhe silogjizmat monotone, janë të gjithëpranishme në “arsyetimet e parafabrikuara gjyqësore”, madje edhe atje ku tekstet ligjore janë “të hapura” dhe krijojnë mundësinë për rolin konstruktiv të gjyqtarit. Moskrijimi brenda sistemit ligjor shqiptar të një identiteti kushtetues kombëtar ishte zhgënjyes, sepse Shqipëria e pati shansin për ta ndërtuar identitetin e saj specifik kushtetues për shkak të përvojës historike unike totalitare. Gjithashtu, Shqipëria është një vend i tri besimeve, me një harmoni ndërfetare shumëshekullore shembullore, që merret si model edhe nga ndërkombëtarët. Eksperienca të ngjashme kanë çuar vende të tjera si Gjermania apo Afrika e Jugut, pas rënies së nazizmit dhe regjimit të apartiditit, në ndërtimin e identiteteve të spikatura kushtetuese kombëtare. Edhe në vende të zhvilluara si Franca, që ka pasur një numër të konsiderueshëm kushtetutash, rëndësi parësore nuk ka pasur teksti i Kushtetutës, i cili nuk ka nënkuptuar asgjë më të rëndësishme sesa dokumentin politik të organizimit të shtetit, ndërkohë që dokumente juridike me rëndësi historike si Deklarata e të Drejtave dhe Lirive të Qytetarit apo Kodi Civil kanë qenë strukturuesit e vërtetë të shoqërisë dhe vlerave të saj.
Në SHBA, një kushtetutë me tekst të shkurtër dhe të përmbledhur ka pasur statusin e Besëlidhjes që i jep formë shoqërisë dhe vlerave ku ajo beson, ndërkohë që Anglia funksionon me një kushtetutë të pashkruar, produkt i një evolucioni historik, që i ka rrënjët në traditën shumëshekullore të respektimit të autonomisë dhe dinjitetit të individit. Pra vende të ndryshme, e kanë “farkëtuar” identitetin e tyre kushtetues si një konstrukt historik, duke e vënë theksin te misioni që ka një kushtetutë, ai që t’i shërbejë autoritetit që e ka vendosur kushtetutën, d.m.th. kombit. Në këtë drejtim do të argumentoja se një tekst i mirë kushtetute është vetëm pikënisja për të ndërtuar një identitet kushtetues kombëtar. Ndërtimi i një identiteti kushtetues shqiptar, përreth identitetit kombëtar shqiptar, është një konstrukt historik dhe mund të vijë vetëm si produkt i një dialogu ndërmjet tekstit të kushtetutës, traditës historike dhe aspiratave kombëtare për zhvillim dhe përparim.
Kjo kërkon që teksti i kushtetutës, të “ndërmjetësohet” nga interpretimi përshtatës i një pushteti gjyqësor me karakter të fortë, “nën dritën” e fakteve specifike të historisë, të kulturës sonë kombëtare, dhe të kërkesave për përparim ekonomiko-shoqëror. Karakteri i fortë i gjyqësorit nënkupton jo vetëm një trupë gjyqësore të pakorruptuar, por edhe që nuk e lejon veten të përdoret nga çfarëdolloj influence jolegjitime. Pjesë e pandashme e këtij karakteri të gjyqësorit është edhe ‘aktivizmi gjyqësor”, domethënë aftësia për të qenë largpamës dhe për të bërë pjesë të kontekstit juridiko-shoqëror kombëtar tipare të reja pozitive, që i sjellin përfitim autoritetit që e ka themeluar vetë rendin kushtetues, sovranit ose kombit shqiptar. Inkoherencat e logjikës juridike brenda tekstit të kushtetutës kanë rëndësi të dorës së dytë për një identitet kombëtar kushtetues; përkundrazi, tejkalimi konstruktiv i tyre nga një gjyqësor profesional është dëshmi e rritjes së këtij identiteti.
Në ligjërimin publik dhe atë politik, dashuria për tekstin e kushtetutës, pra për instrumentin, ka zëvendësuar dashurinë për kushtetutshmërinë, së cilës teksti i kushtetutës është i destinuar t’i shërbejë. Nga ky aspekt më duket më e rëndësishme që kushtetutshmëria shqiptare të ketë një identitet kombëtar, pavarësisht se vetë teksti i kushtetutës mund të ketë një identitet politik. Në Francë, Kodi Civil ka një identitet historik të lidhur me personin e Napoleonit, por identitetin e tij shoqëror dhe kombëtar këtij kodi, i cili, në dallim nga ai gjerman nuk shquhet për pasurinë e koncepteve juridike në përmbajtjen e tij, ia kanë dhënë gjykatat franceze, të cilat me jurisprudencën e tyre progresivisht kanë plotësuar vakumet në përmbajtjen e kodit. E njëjta gjë mund të thuhet për Deklaratën e të Drejtave dhe Lirive të Qytetarit, që me përkufizimet e saj, të afirmuara në preambulën e Kushtetutës së vitit 1946, vazhdon të frymëzojë interpretimin përshtatës kushtetues francez, drejt identifikimit të të drejtave të reja, të cilat, ndonëse mungojnë në tekstin e kushtetutës, zgjerojnë garancitë e lirive dhe të drejtave themelore të individit.
Identiteti kombëtar kushtetues nuk është përpjekje për të gjetur një “identitet të ri etnik” në disiplinën e shkencave juridike; ai është ndarja me “të keqen historike”, si të komunizmit, ashtu edhe atë të tranzicionit, kërkimi i drejtësisë sociale, pra identiteti kushtetues kombëtar është një burim i ri për patriotizmin ndërtues, në një variant shqiptar të asaj që Habermas e quan “Verffassungs- patriotismus”. Ky identitet do të promovonte dhe merrte në mbrojtje substancën e trashëgimisë të vlerave tona kombëtare, duke njohur njëkohësisht përgjegjësitë për fajet dhe dramat e së kaluarës historike. Ky identitet rritet dhe frymëzohet nga nënshtrati i vlerave euroatlantike ku kombi shqiptar bën pjesë në mënyrë të natyrshme, por që refuzon po aq natyrshëm edhe kozmopolitanizmin, ku qytetarët gjejnë arsye të besojnë dhe identifikohen me një shtet, shërbëtor i mirëqenies së përgjithshme dhe vendosjes së drejtësisë sociale.
Nga ky këndvështrim, teksti i kushtetutës ka një rëndësi të reduktuar, dhe përparësi merr karakteri i gjyqësorit të përkushtuar ndaj vlerave të qenësishme patriotike dhe demokratike, pra mënyra se si gjyqësori e përdor tekstin e kushtetutës. Një kushtetutë e fiton identitetin e saj nga eksperienca historike e zbatimit të saj. Formimi i identitetit kushtetues është një proces dialogu ndërmjet tekstit të kushtetutës, traditës historike dhe kërkesave të zhvillimit ekonomiko- shoqëror kombëtar, i ndërmjetësuar nga interpretimi përshtatës i gjyqtarit kushtetues. Në këtë kuptim, mbetet për t’u vëzhguar se cili do të jetë “identiteti kushtetues” i tekstit të Kushtetutës së re pas ndryshimeve, sepse konfigurimi i këtij identiteti do të jetë në optikën time testi real i reformës kushtetuese. Në një vend ku konfliktet sociale artikulohen si konflikte politike, ku narrativat historike të së kaluarës janë të ndryshme për kampe të ndryshme politike, formimi i një identiteti kombëtar kushtetues është më së pari një detyrë patriotike e një pushteti gjyqësor në shërbim të interesit kombëtar dhe të panënshtruar ndaj politikës.
(Gazeta Shqiptare)