NGA ALEKSANDRA KOLA*

Në një reportazh që BBC ka realizuar në kampin e refugjatëve në Idomeni të Greqisë, paraqet edhe vullnetarët shqiptarë, të cilët ndihmojnë refugjatët në këtë kamp, pas largimit të mjaft organizatave joqeveritare për shkak të dhunës dhe incdenteve. 15 të rinj nga Korca ndihmojnë fëmijët refugjatë, me veshje, ushqime lodra, ilaçe dhe cdo nevojë tjetër.

Teksa policia maqedonase ruan kufirin me Greqine duke përdorur gaz lotsjellës, frustrimi rritet në kampin e refugjateve ne Idomeni. Njerëzit që jetojnë në kampin e Idomenisë kanë humbur durimin dhe shpresën, në pritje të së nesërmes që as vetë nuk e dinë si do të vijë.

Samih erdhi në kamp në muajin shkurt dhe nuk ishte në gjendje për të vazhduar në veri udhëtimin e tij. Ai tregon për BBC, si është jeta e përditshme në kamp.

”Jam 20 vjeç, nga Siria, erdha këtu me mamanë dhe vëllezërit e mi dhe dua të shkoj në Gjermani. Fillimisht ishte shumë e vështirë, por tani u bënë 50 ditë këtu dhe jam mësuar. Disa njerëz rrinë në radhë për të marrë ushqimin shumë herët në mëngjes para se të zgjohen të tjerët, disa shkojnë për të bërë dush, disa lajnë rrobat e tyre në mëngjes. Unë bëj dush një herë në dy javë pasi është shumë e vështirë të gjesh ujë të ngrohtë. Pasi ha mëngjes, i bie kitarës, është e vetmja gjë që mund të bëj këtu. Ka më shumë se 13 mijë përsona në këtë kamp dhe unë jam një nga ata, thjesht mundohem të mbijetoj çdo ditë. E urrej pritjen këtu sidomos nga fakti që nuk bëj asgjë, thjesht ulem këtu dhe rri gjithë ditën. Por duhet te jem optimist dhe shpresoj se diçka do ndodhë shpejt dhe do arrij të shkoj atje ku dua unë. Nuk është e drejtë ajo që po ndodh këtu dhe ne të gjithë shpresojmë që kufijtë do hapen shpejt. Nganjëherë ndodh që flenë 2 persona në të njëjtin shtrat për shkak të numrit të madh të refugjatëve këtu dhe hapësirës së vogël nëpër tenda”, thotë Samih.

Ai tregon se pasi u larguan disa organizata joqeveritare për shkak të dhunës, në kamp kanë mbetur shumë pak vullnetarë, ndër të cilët edhe disa nga Shqipëria. Janë 15 të rinj të qendrës Kenedi në Korcë, të cilët iu gjenden pranë refugjateve me asistencë mjekësore, veshje për fëmijë, lodra dhe ushqime për ta, madje kujdesen edhe për argëtimin e tyre në ditët e vështira që po kalojnë

Samih përshkruan policinë maqedonase duke thënë: ”Ka shumë forca ushtarake këtu në gatishmëri për çdo gjë që mund të ndodhë dhe ata janë agresivë nga natyra”. Samih thotë se nuk e di si do përfundojë kjo situatë por me siguri e di që nuk do të shkojë në Turqi. Sipas tij Turqia nuk është vend i mirë për refugjatët, sepse ata trajtohen keq. Më mirë shkoj në Siri sesa atje, shprehet Samih për BBC.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: