Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në emisionin “Open” në News24 tha se çështja çame nuk duhet të trembë askënd.

Idrizi tha se në vitet 1992-1994, në kohën e Qeverisë Meksi, është diskutuar për çështjet pronësore, janë ngritur dy komisionet mikse, pra nuk ka qenë gjithmonë situata që pala shqiptare ka lëshuar gjithmonë.

Idrizi tha se për të hapur negociatat bëmë ligjin për toponimet, zgjeruam ujërat nga 6 në 12 milje, por asnjëherë nuk kemi pasur marrëdhënie të mira me Greqinë.

“E dini ju se pse bëhet e gjithë kjo? Sepse kanë hallin se mos mërzitet Greqia”, tha Idrizi.

Referuar seancës së zhvilluar në Parlamentin shqiptar në përkujtim të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Idrizi tha se për herë të parë në sallë ishin prezent mbi 40 deputetë dhe shumë figura.

“Në atë seancë ishin 3 dëshmitarë okularë, ne kthehemi në shtëpi dhe gjejmë prindërit apo gjyshërit tanë që na afektojnë lidhur me këtë çështjes”, tha Idrizi. Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të ulet bashkë me ne, të lexojë ligjin e 1994, të lexojë edhe rezolutën mbi çështjen çame, dhe kjo çështjes zgjidhet. “Është çështjes dinjiteti kjo”, tha ai.

Ai u shpreh se Greqia për shumë vite e ka mohuar ligjin e luftës me Shqipërinë.

Idrizi tha se nuk kemi pasur asnjëherë marrëdhënie të mira me Greqinë, por kemi lëshuar qoftë për varrezat, qoftë për minoritetet, qoftë duke u tërhequr nga çështjet e ndryshme, qoftë duke mos ngritur me forcë çështjen çame.

Kreu i PDIU tha se shpreson shumë që Shqipëria të mos tërhiqet më nga çështjet, duhet të vëmë në punë diplomacinë parlamentare, duhet ti drejtohemi kolegëve tanë në Parlamentin grek që të ndikojnë për heqjen e ligjit të luftës që Greqia mban me Shqipërinë.

“E dini ju se çfarë ka përfituar Shqipëria nga Greqia? Vetëm vulën apostile”, tha Idrizi.

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb