Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha se është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët, një ditë përbashkuese për të gjithë shqiptarët.

“Duhet të jemi të bashkuar me qëllime të përbashkëta. Është një ditë shumë e rëndësishme e Pavarësisë dhe Flamurit, por është një ditë kujtese, pasi ne e dimë të gjithë që 1 vit pas ngritjes së flamurit, Shqipëria u copëtua për shkak atyre padrejtësive që dimë tashmë”, tha Idrizi në rubrikën “Opinion” në News24.

Ai u shpreh se ne duhet të përbashkohemi dhe të bëjmë sa më shumë të jetueshëm këtë vend. “Këto 33 vjet, janë vite që jemi tërhequr zvarrë, duke krijuar idenë e një sistemi demokratik dhe pluralist, duke krijuar idenë e institucioneve demokratike, por kemi parë që shumë gjëra nuk janë bërë mirë”, tha Idrizi.

Ai u shpreh se opozita është një institucion shumë i rëndësishëm, që jo vetëm ka detyrë që të bëjë presione dhe denoncime, por duhet të kthehet në një alternativë qeverisëse.

“Në vitin 2008 bëmë një sistem që mirë ose keq ha diskutim. Nga një sistem proporcional ne zgjodhëm një model proporcional rajonal, një imitim spanjoll. Por ky sistem lejonte grupimin në koalicione. Në 2021 Kushtetuta u ndryshua nga mazhoranca e sotme, duke pamundësuar koalicionet. Pra patëm një ndryshim rregullash loje në mënyrë të njëanshme”, tha Idrizi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb