27 Qershori, është dita e Genocidit dhe spastrimit etnik grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Në vitin 1944-r, shqiptarët e Çamërisë u larguan me dhunë nga trojet e tyre, ku fëmijë, gra dhe të moshuar u vranë në shtëpitë ku kishin lindur e ishin rritur. Shoqata Patriotike “Çamëria” dhe PDIU kanë përkujtuar këtë 75-vjetor me një ekspozitë të veçantë, të quajtur “75 vjet Genocid, Koha për Çamërinë”. Në këtë ekspozitë u zbuluan për herë të parë foto nga Genocidi, nga Çamëria dhe nga Kampi i refugjatëve çamë të Kavajës, të vitit 1945, aty ku u vendosën përkohësisht shqiptarët e Çamërisë, pasi u larguan me dhunë nga trojet e tyre. Të pranishëm në këtë aktivitet, ishte kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, Aqif Rakipi, Mesila Doda dhe kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria, Dritan Sejko. Po kështu të pranishëm ishin edhe ish-deputetët e PD-së, Albana Vokshi dhe Edmond Spaho.

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi tha se kur djemtë çamë duan të gjejnë forcë, të kërcejn vallen e “Osman Takës”, të shoqëruar nga vajzat me vallen “Çamiko” dhe “Tumankuqe”.

“Sot në 27 Qershor për të kujtuar dhe rikujtuar me forcë 75-vjetorin e Genocidit dhe spastrimit etnik mbi shqiptarët e Çamërisë. U masakruan në një kohë të shkurtër rreth 20% e popullsisë së shqiptarëve të Çamërisë, pleq, gra dhe fëmijë dhe ku u krye një spastrim etnik i mbi 90% të shqiptarëve të Çamërisë. Ky spastrim është nga më barbarët në historinë e njerëzimit.

Shqiptarët e Çamërisë u masakruan në sofër, me bukën në gojë, u masakruan në pragjet e shtëpive të tyre, duke mos kursyer as foshnjat dhe as të moshuarit. Ata u masakruan vetëm pse ishin shqiptarë. Çamëria është vendi i tempullit të Dodonës, ku zotat flisnin shqip, është vendi i Lumit të Akeronit, ku nga mitologjia është lumi që lidhte dy botë. Çamëria është vendi i miteve të mëdha, kulturës, historisë dhe vazhdimësisë së iliro-pellazgaëve, është vendi i Pirros së Epirit. Sot e njohim Çamërinë nga këngët dhe vallet epike, siç është ajo e “Osman Takës”.

Osman Taka është një valle e lashtë eipirjote, që në kohën e Pirros së Epirit. Këngë të tjera si “Tumankuqja” apo “Çelo Mezani”, e bëjnë krenare krahinën e Çamërisë. Ne jemi një popull vital dhe që nuk na mund harresa. Ne do të themi gjithmonë “Është Koha për Çamërinë”.

E kur të na duhet të gjejmë forcë, djemtë e Çamërisë duhet të kërcejnë Osman Takën dhe ti shoqërojnë vajzat çame me vallen “Çamiko” e “Tumankuqe”. E kur duam të ndjejmë dhimbje, le të na drithërojë kënga e “Çelo Mezanit”. Ne Shqiptarët e Çamërisë nuk do të lodhemi kurrë, nuk do të rershtim kurrë së kërkuari drejtësi për Çamërinë. Do të luftojmë për tu kthyer në vatrat tona, sepse edhe çami i fundit të mbetet, NE do të kërkojmë që ai të jetë prijësi ynë dhe të kthehemi në Çamëri, pavarsisht që besoj se kurrë, nuk do të ngelet çami i fundit, sepse ne rritemi çdo ditë”, – u shpreh z.Idrizi.

Kryetari i PDIU-së theksoi se nuk luftojmë për prona, por duam të kthehemi në trojet tona.
“Ne jemi të bindur që do të trimufojë drejtësia, për një nga popujt më të persekutuar, me kaq shumë drama e fatkeqësi. Me kaq shumë drama, për të mbajtur lart emrin e Çamërisë. Kanë kaluar 75-vjet, por NE shqiptarët e Çamërisë duhet të jemi krenar, sepse kurrë nuk e harruam Çamërinë. Ne nuk luftojmë për prona, por duam të kthehemi në trojet tona.

Ftoj të gjithë shqiptarët e Çamërisë të bashkohen te Shoqata Çamëria dhe ejani të bëjmë debat tek Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Eja të bëhemi bashkë, sepse bashkë kemi shumë më tepër mendje dhe forcë”, – tha Shpëtim Idrizi.

Kryetari i Shoqatës Çamëria Dritan Sejko u shpreh se: Ne shqiptarët e Çamërisë nuk harrojmë kurrë Genocidin dhe se gjithmonë do luftojmë për tu kthyer në Çamëri.

Alket Veliu tha se pavarsisht se kanë kaluar 75-vite, sot tragjedia e Çamërisë është shumë e freskët dhe nuk do të harrohet kurrë. Specialisti i Arkivit të Shtetit Lorenc Agalliu, tha se: Kjo ekspozitë tregon tragjedinë ndaj një popullësi që ndodhi në vitin 1944-të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb