TIRANË

Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi ka folur pas takimit të zhvilluar sot me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Idrizi tha se opozita e bashkuar do të paraqesë një platformë të përbashkët për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Nisur nga momenti shumë i vështirë dhe delikat që po kalon demokracia shqiptare, patëm një diskutim me z.Basha, për të rakorduar të gjithë aksionin opozitar. Opozita e bashkuar do të paraqesë platformë të përbashkët për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Kjo nuk është thjeshtë një retorikë, por kemi një platformë të përbashkët, ku ne do t’ju bëjmë të qartë të gjithë shqiptarëve, fenomenet negative që ndodhin në zgjedhje, duke filluar nga vjedhja e votave dhe përdorimi i pushtetit në zgjedhje”, u shpreh Idrizi.

Ai deklaroi se nuk është krijuar një qeverisje shërbëtore, por kemi një pushtet që përdor gjithë makinerinë shtetërore, në mënyrë që të fitojë zgjedhjet.
“Sot nga 120 mijë, kemi 160 mijë të punësuar në shtet, pra kemi 40 mijë persona që janë shtuar dhe janë punësuar në strukturat shtetërore. Janë dhe 27 mijë persona të tjerë që kanë ikur nga puna në mënyrë të padrejtë dhe i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro.
Nuk është krijuar një qeverisje shërbëtore, por kemi një pushtet që punon vazhdimisht, për të përdorur gjithë makinerinë shtetërore, tenderat, asistencën sociale, punësimet etj, në mënyrë që të fitojë zgjedhjet”, u shpreh Idrizi.

Ai tha se opozita e bashkuar po punon edhe për programin elektoral dhe mbi të gjitha për programin ekonomik. “Drejt një modeli të ri ekonomik, i cili duhet të bazohet tek prodhimi dhe punësimi, sepse Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe resurset. Jemi në momentin që të shpjegojmë para shqiptarëve, se si opozita ka projektin e saj që pas 30 vitesh të kemi zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta”, u shpreh Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb