Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka lexuar në parlament projekt-deklaratën për heqjen e ligjit të luftës ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë.
Idrizi deklaroi se ligji për luftën mes Greqisë e Shqipërisë është një absurd juridik, që prodhon vetëm pasoja negative. Ai tha se Shqipëria dëshiron vetëm politikë paqësore e normale me fqinjët e saj, ndër këta edhe me Greqinë.
“Ne mbajmë parasysh se Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të NATO-s dhe punojmë për sigurinë e përbashkët. Kemi mbajtur parasysh se mes Shqipërisë dhe Greqisë është nënshkruar traktati i miqësisë dhe sigurisë. Por, pavarësisht bashkëpunimeve, ligji i luftës mbetet në fuqi dhe prodhon pasoja negative. Mbretëria e Greqisë shpalli ligjin e luftës më 1940, pasuar me ligje të tjera. Në ligj thuhet se shtet armik ishte Italia dhe vendet e tjera që ishin nën pushtimin italian. Me Italinë çështja u zgjidh përfundimisht me Traktatin e Paqes në Paris. Edhe me Gjermaninë, Greqia e zgjidhi çështjen. Ligji i luftës me Greqinë është një absurd juridik. Pezull ka mbetur vetëm ligji i luftës me Shqipërinë. Greqia mban edhe sekuestro për pronat e nga ana tjetër traktat miqësie”, tha Idrizi.
Fjala në Kuvend e kreut të PDIU Shpëtim Idrizi:
Projekt – Deklarata është dëshmi e politikës sonë paqësore, por të vendosur për të gjetur një zgjidhje pas 84 vitesh, në lidhje me një absurd juridik të mbështetur mbi një absurd historik, siç është Ligji i Luftës që Greqia mban me Shqipërinë.
Ajo konfirmon dhe qëndrimin e këtij Parlamenti për forcimin e marrëdhënieve me Greqinë;
Që në krye kjo Deklaratë
Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe dhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe strategjike me Greqinë, si dhe vullnetin e dyanshëm për t’i përmirësuar e thelluar ato në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe kontributin për forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajonin tonë;
Duke mbajtur parasysh se dy vendet tona janë anëtare të Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe në këtë kuadër bashkëpunojnë pa rezerva për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes tonë të përbashkët;
Duke mbajtur shënim kontributet e përbashkëta të vendeve tona në organizatat e bashkëpunimit për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut, në rradhë të parë OSBE dhe KiE;
Duke vlerësuar kontributin e Greqisë për ecjen përpara të proceseve integruese në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe bashkëpunimin në organizatat rajonale përkatëse;
Duke mbajtur parasysh se midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë është nënshkruar “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë”;
Duke mbajtur shënim se marrëdhëniet mes vendeve tona kanë ecuri pozitive dhe se të dy vendet, në frymën e mirëkuptimit dhe në të mirë të dy popujve tanë, kanë bashkëpunuar për të zgjidhur çështjet e hapura mes vendeve tona;
Vëren se:
Ndryshe nga fryma e “Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr.2636/40 mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative, që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte.
Megjithë vullnetin politik të shprehur publikisht në mënyrë të përsëritur nga përfaqësues të lartë të Greqisë, për ta shfuqizuar atë dhe adresuar pasojat ligjore të tij;
Më 28 tetor 1940, Mbretëria e Greqisë shpalli Ligjin e Luftës me dekretin 2636, të pasuara nga një sërë ligjesh të tjera, pjesë e sistemit juridik grek.
Bazuar në Dekretin 10 Nëntor 1940 “Rreth përcaktimit si shtete armike, sipas ligjit 2636/40, të Italisë dhe Shqipërisë, shkruhet:
“Shtetet e përcaktuara si armike në kuptimin e 2636/40, janë Italia së bashku me tokat perandorake dhe kolonitë e saj, duke përfshirë edhe Shqipërinë”;
Në 28 Tetor 1940 Shqipëria nuk ka qenë shtet sovran që të sulmonte fqinjin e vet, e si pasojë Greqia ta shpallte shtet armik dhe të vendoste gjendjen e luftës me vendin tonë.
Shqipëria ishte shtet i pushtuar, pa sovranitet, pa subjektivitet ndërkombëtar, pa liri veprimi dhe këtë fakt në akte të tjera e ka pranuar dhe vetë Greqia.
Dispozitat e këtyre ligjeve vihen në zbatim për shtetet e mësipërme që nga 28 tetori 1940.
Por ndërsa me Italinë çështja, u zgjidh përfundimisht në vitin 1947 me Traktatin e Paqes në Paris, konform rregullave të së drejtës ndërkombëtare, që përfshin heqjen e gjendjes së luftës dhe mbulon dhe procedurën e heqjes së sekuestrove dhe fatin juridik të pronave të sekuestruara.
Kjo pasohet me një vendim të Kryetarit të Qeverisë, Ministrit të Jashtëm, të Ekonomisë dhe Drejtësisë ( 1949).
Por po kaq interesante është rasti me Gjermaninë, kur në mënyrë të njëanshme u hoq me ligj Gjendja e Luftës, nëpërmjet Ligjit 2023 / 1952 “Rreth skadencës së gjendjes së Luftës me Gjermaninë”, po në këtë ligj parashikohet se cila procedurë do të ndiqet për pronat e sekuestruara.
Po me Shqipërinë, e cila është pjesa e mbetur e po të njëjtit Ligj Lufte me Italinë ?!!!! mesa duket kemi mbetur pezull.
Pavarësisht nga “idiotët e dobishëm” të Tiranës, që për vite e vite na thonin se që nga vitit 1971 kemi “marrëdhënie dipllomatike”, dhe në vitin 1996 e në vazhdim një Traktat Miqësie, me Shqipërinë nuk ka asnjë akt nga ato të mësipërmit që Greqia kishte bërë me Italinë dhe Gjermaninë. Ligji në fjalë padyshim është një absurd dhe për sa thashë më sipër, pra Greqia mban me ne dhe Ligj Lufte, Gjendje Lufte, dhe Sekuetro për pronat, por ndërkohë kemi dhe Traktat Miqësie ?!!
Por ndërsa ne hallakateshim në hamendësimet tona pa kuptim e vinim vërdallë për vite e vite me radhë. Në vitin 1999, ministria e jashtme greke pohon me shkresën zyrtare për ministrinë e jashtme të Republikës së Shqipërisë F.237/269, dt.28/06/1999 se ligji 2636/40 është në fuqi.
Më 02/01/2018 ministri i jashtëm i Greqisë Kotzias shprehej se:
Ligji i Luftës “është një budallallëk historik, i cili duhet të mbarojë”. Ai vazhdon…. “Nuk duhet të ketë as edhe një dyshim formal se të dy vendet mund të jenë në gjendje lufte.
Kjo është çëshja kryesore që duhet zgjidhur pozitivisht”.
Më 20 Tetor / 2020 ministri i jashtëm Dendias gjatë vizitës në Tiranë deklaron:
“Sa i përket ligjit të luftës… Kjo gjë është një anakronizëm, jam i sigurtë se edhe këtë do ta zgjidhim së bashku. Dhe është gëzim i madh për mua që kam mundësinë ta them këtë gjë këtu, nga Tirana, me urdhër të Kryeministrit Mitsotakis”.
Në vizitën e tij në Tiranë, më 22/Tetor/2022, ministri i jashtëm Dendias deklaroi se do të nisin procedurat për abrogimin e ligjit, i cili daton që nga viti 1940.
Sipas ministrit të jashtëm grek: “dy vendet duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, që pikat historike për abrogimin e tij, të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur.
Të nderuar Deputetë!
Ky ligj ushtron implikime të rëndësishme në:
Kufizimin e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë;
Planin e rivendikimeve territoriale ndaj vendit tonë;
Ky është akt që mban gjallë irredentizmin e qarqeve të caktuara ekstremiste greke; Kufizimet e të drejtave themelore të individëve, të trashëgimtarëve të tyre janë të qarta;
Përse kjo deklaratë parlamentare?
Deklarata është një instrument i qëndrimeve politike nga ana e parlamentit, duke u shprehur për një çështje me interes të lartë kombëtar siç është Ligji i Luftës që Greqia mban me ne.
Mbajtja në këmbë e këtij Ligji edhe pas 84 vitesh është një fyerje e integritetit, sovranitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar dhe nuk ka vend në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
I takon këtij Parlamenti si mbajtësi i sovranit të tregojë se Shqipëria është një vend paqedashës e i pamvarur. Ne kemi autoritetin dhe përgjegjësinë për ta ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë ndërkombëtar.
Kjo deklaratë kërkon zyrtarisht nga parlamenti i Greqisë heqjen e Ligjit të Luftës, Gjendjes së Luftës dhe të gjithë pasojave juridiko- pronësore.
Heqja e ligjit të luftës do të na lejonte të ndërtojmë marrëdhënie të bazuara në respekt të ndërsjelltë dhe klimë më të mirë bashkëpunimi dhe zhvillimi në të mirë të të dy vendeve.
Këtë Ligj Lufte absurd, budallallëk historik, anakronizëm, etj, e kanë quajtur me të drejtë ministrat e jashtëm të Greqisë, ngjan mo tamam me ato minat e fshehura e të ndryshkura të Luftës së Dytë Botërore, që nga pakujdesia e rastësia mund të shpërthejnë në çdo çast.
Prandaj duhet çaktivizuar ky ligj ashtu si minat e Luftës së dytë Botërore.
Çfarë synohet?
Së pari, në planin e marrëdhënieve dypalëshe, synohet ta sjellim dialogun mes dy vendeve tona në një terren konkret dhe për ta nxjerrë kësisoj nga çështje të sforcuara me natyrë propagandistike të ditëve tona.
Së dyti, përfshirja e parlamentit, nëpërmjet diplomacisë parlamentare është nxitje në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për t’i dhënë fund sa më shpejt një situate absurde që vazhdon prej 84 vitesh, me abrogimin e Ligjit Nr. 2636/40 dhe pasojave juridike që burojnë nga ky ligj.
Edhe kërkesat që paraqiten kanë bazament juridik, jo territorial.
Të avancuara me rrugë demokratike ato janë tërësisht legjitime.
Nuk është Rezolutë, sepse nuk i drejtohet vetëm institucioneve të brendshme me kërkesën për të raportuar për zhvillimet në lidhje me çështjen e Ligjit të luftës, por dhe atyre të vendit fqinj, në formën e një ftese për bashkëpunim, që mund të nënkuptojë dhe themelimin e një grupi ndërparlamentar mes dy vendeve, për të adresuar problemin e abrogimit të Ligjit të Luftës Nr. 2636/40 dhe pasojave juridike që burojnë nga ky ligj, apo çështje të ngjashme. Në Traktatin e Miqësisë, në paragrafin 3 të nenit 17, pohohet rëndësia e kontakteve midis parlamenteve dhe grupeve ndërparlamentare.
Më në fund, kjo deklaratë konfirmon nevojën dhe zgjidhjen e këtij problemi në frymën e miqësisë dhe mirkuptimit në të mirë të popujve tanë.
Ka një thënie të mençur Ajshtaini: “Zoti nuk e vendosi paqen midis tij dhe njerëzve, por si një veti midis njerëzve”.
Të nderuar kolegë!
Me këtë akt të sotëm ne kemi rastin të tregojmë që kur bëhet fjalë për dinjitetin dhe interesin kombëtar, ne këtu në këtë sallë, përfaqësuesit e shqiptarëve nga të gjitha krahët, ulim armët e penat, ulim flamujt e partive dhe bëhemi një;
Parlamenti i Shqipërisë!
(Balkanweb)