ITALI – Me tapet të kuq dhe medalje nderi. Kështu e priti Tirana dhe e gjithë Shqipëria trajnerin italian Gianni De Biasi dhe heronjtë e kombëtares shqiptare të futbollit. Kështu e nis shkrimin kushtuar De Biazi, faqja italiane “La Lazio siamo noi.it”, e cila ka publikuar edhe një intervistë me trajnerin e kuqezinjve.

Gianni De Biasi preferon ta quajë veten një person që punon shumë e plot pasion, më tepër se sa hero, pavarësisht se me fitoren ndaj Armenisë fitoi mundësinë për ta çuar Shqipërinë në kampionatin evropian dhe për të hyrë në histori. I pyetur se kujt ja dedikon suksesin, De Biazi u shpreh: “Sigurisht bashkëshortes dhe vajzës, të cilat janë personat më të afërt të jetës sime.”

Trajneri i kuqezinjve ka folur edhe për marrëdhënien e tij me Igli Taren, i cili dikur ka qenë një ndër djemtë që janë stërvitur prej tij. I pyetur nëse e shikon Taren si trajnerin e mundshëm të kombëtares shqiptare, De Biazi u përgjigj duke buzëqeshur: “Nëse do të stërvitë skuadrën mjafton të më bëjë një fishkëllimë. Unë marr vendin e tij tek Lazio dhe ai vjen në Shqipëri. Do rikthehej secili në Atdheun e tij.”
“Igli është gjithmonë pranë skuadrës kombëtare. Eshtë shumë i lumtur për ne, për sukseset tona. Ai na ndjek shumë, shpesh vjen edhe në stadium për të parë ndeshjet.”-tha De Biasi.

Lidhur me portierin Berisha, De Biasi theksoi se Etriti është një portier me cilësi të larta, ndër të paktët që dalin nga porta në kohën e duhur dhe bëjnë veprimet e duhura.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb