TIRANË- Të gjithë spektatorët e Teatrit Kombëtar, kanë pasur rastin sonte ta përjetojnë vërtetë me emocione të veçanta shfaqjen e komedisë “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë”, por jo me të qeshura. Interpretimi i shkëlqyer i trupës së përbërë nga aktorët Yllka Mujo, Neritan Liçaj, Olta Daku, Besmir Bitraku, Adelina Muça dhe Valina Muçolli, me regji të Driada Dervishit, është ndërprerë dy herë për shkak të ikjes së dritave. Skena dhe gjithë platea është mbuluar nga errësira dhe heshtja për disa sekonda. Gazetarja e News24, Ola Bruko e pranishme në Teatër tha se kanë qenë vetë aktorët që ashtu siç kishin mbetur në mes të skenës, për ta kaluar disi situatën kanë shkëmbyer batuta. “Ne e kishim paguar energjinë elektrike”, ka thënë Neritan Liçaj dhe kaq është dashur që publiku të shpërthejë në të qeshura dhe duartrokitje në mbështetje të tyre.

Pas disa çastesh dritat janë rikthyer dhe shfaqja ka rifilluar, mirëpo atëherë kur u duk se tashmë çdo gjë po shkonte mirë, ka ndodhur ndërprerja e dytë e dritave. Në skenë ishte vetëm aktorja Olta Daku, e cila ka pritur derisa të vinin dritat dhe më pas duke improvizuar e kaloi sërish situatën duke thënë “Erdhën dritat Xho”.

Por sikur të mos mjaftonin këto, ndjekja e komedisë së Çehovit është kthyer në një makth për publikun pasi gjatë gjithë kohës mbi kokat e tyre fluturonte një lakuriq nate që nuk dihet se si kishte përfunduar aty.

Nuk është hera e parë që ikin dritat gjatë shfaqjeve në Teatrin Kombëtar, por shpresojmë të jetë e fundit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: