TIRANE –Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzon penalisht kryetarin aktual të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime si dhe disa zyrtare të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim. Mësohet se IKMT-ja ka depozituar kallëzimin penal ndaj Bimes, për shkak të një vendimi të miratuar prej tij, në kohën kur drejtonte KRRT e Gjirokastrës, për ndërtimin e një pallati 12 katësh. Sipas IKMT, bëhet fjalë për një pallat në lagjen “18 shtatori” të Gjirokastrës, i ndërtuar në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pretendon se “leja është dhënë me afat një vit në vitin 2009, por më pas në kundërshtim me çdo të dhënë urbanistike dhe të ligjeve është lejuar edhe një shtesë prej 5 katesh.Vendimet janë dhënë pa pasur më parë dhe pa u bazuar në asnjë plan rregullues dhe asnjë studim urbanistik pjesor të miratuar sipas ligjit”.
IKMT ka kallëzuar po ashtu edhe Kryeinspektorin dhe inspektorët e IKMT të Bashkisë Gjirokastër, Ilir Çumaku ish-sekretar i KRRT në Bashkinë Gjirokastër,  Antoneta Çako ish-sekretare e KRRT në Bashkinë Gjirokastër, si dhe ish-anëtarët e Sekretariatit Teknik të KRRT Bashkia Gjirokastër. Akuza për të gjithë shtetasit e mësipërm është “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.

“News24” ka siguruar foto të pallatit në qendër të qytetit dhe mëson gjithashtu se banorët vazhdimisht ishin ankuar për rrezikshmërinë që paraqiste shtimi i 5 kateve të kësaj ndërtese.
Pas kryebashkiakëve të Vlorës dhe Fierit, Shpëtim Gjika dhe Baftjar Zeqo, që janë kallëzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe dorëheqjes së Artan Shkëmbit nga posti i kryebashkiakut të Pogradecit, Flamur Bime është socialisti i radhës që do të përballet me drejtësinë në prag të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: