TIRANE- Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ribllokuar sot punimet për kompleksin e pallateve në digën e Liqenit Artificial. Sipas IKMT-së, firma ndërtuese nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës.


Kreu i IKMT-së, Dallandyshe Bici deklaroi se punimet duhet të ndërpriteshin pas vendimit të gjykatë.


Më herët, Gjykata Administrative e Apelit ka hedhur poshtë kërkesën e firmës “Gener 2”, që po ndërton pallatet tek Diga e Liqenit në Tiranë, për të shpallur të paligjshëm vendimin e Inspektoriatit Ndërtimor, që vendosi ndërprerjen e punimeve në këtë kantier. Me këtë vendim, puna në kantier do të pezullohet dhe parku do t’u rikthehet sërish qytetarëve.


Më 14 janar të këtij viti, kreu i IKMT, nëpërmjet një urdhri, shpalli të pavlefshëm vendimet e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, të kompanisë ndërtuese “Gener 2” sh.p.k. Fakti që këto ndërtime do të kryheshin në zonën e Parkut të Madh të Tiranës dhe shumë pranë Digës së Liqenit, shkaktoi një debat të madh publik.

Politikanët, ambientalistët, por edhe banorët, u shprehën kundër këtij projekti, pasi cenoheshin hapësirat e gjelbra dhe siguria e digës.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: