TIRANË
Shkatërrimi i “Prestige Resort” dhe vendimet arbitrare, të paligjshme të qeverisë kanë qenë në fokus të emisionit “Open” në News24.
Analistë, avokatë dhe gazetarë i kanë cilësuar absurde veprimet e kryeministrit Edi Rama. Lubonja tha se Rama ka kaluar te Putini dhe se po ndjek një proces diktatorësh.
Avokati Gjokutaj deklaroi se është tumori kryesor. Ai theksoi se shkatërruesi asnjëherë nuk mund të jetë ndërtues. Ish-zëvendës kryeministrja Ledina Mandija iu bëri thirrje institucioneve të drejtësisë të ndalin çmendurinë e qeverisë.
Ndërsa gazetari Arian Çani iu bëri thirrje shqiptarëve të ikin sa më shpejt nga Shqipëria.
Lubonja: Pse mor zotëri kur vjen në pushtet…raportin me mediat e kam fjalën; pse mor zotëri nuk qeveris mirë, me ndershmëri, por unë duhet të kap mediat, t’i manipuloj.
Çani: Këtu nuk bie dakord me ty. Teza jote pse o njeri nuk qeveris mirë…Më duket utopike. Ti ia lë në vullnetin e tij. Në politikë nuk është çështja te vullneti i personit, çështja është sa fuqi kam unë të bëj presion që ti të punosh mirë. Politika është provë force. Nuk është politika vullneti i mirë i njerëzve.
Lubonja: Njeriu edhe i përshtatet një sistemi që e ka gjetur, siç e ka gjetur ky dhe e ndryshon. Ai u kap te pushteti që u ndërtua me media si stil i Berluskonit dhe e thelloi dhe e thelloi. Kalimi te Putini, është proces i qartë fare. Nga Jelcini te Putini. Jelcini orligarkët i linte. Irfani është një Kodorkovski. Elimino, elimino! I ka të gjithë në rresht sot. Ky është proces i diktatorëve. Nuk la oligarkë në këmbë ai që të ishin kundërshtarë. Se jam dakord për oligarkë, por të ketë pluralizëm oligarkik.
Gjokutaj: Rama po ta ndjekësh nga një fushatë në tjetrën përgënjeshtron veten. Një nga mburrjet më të mëdha të Ramës, është fakti që në Shqipëri ka thënë nuk ndërtohet më pa leje, ne kemi administruar territorin. Sot ndërron komplet dhe thotë nuk do ketë më ndërtim pa leje. Ky ecën në unazë, nga ekspozita harxhohet karburanti dhe gomat vjen prapë te ekspozita. Në rreth ciklik, përfiton nga mungesa e memories të njerëzve, shoqërisë civile dhe këto i ka blerë të gjitha.
Që nga momenti kur del në “Tëitter” dhe thotë operacion. Termi operacion është heqje tumori, por ky po heq pjesët e shëndosha. Tumori kryesor është ky vetë.
Lubonja: Ja ku e ke Tiranën, shiko ato kullat. 6-7 kate pa leje.
Gjokutaj: Një person ka një standard. O jemi në kohë legalizimi, o jemi në kohë shpërthimi. Nuk mund të legalizosh ndërtim pa leje në Tiranë dhe të shembësh ndërtim me leje në bregdet.
Cani: Ai është mbret dhe mbreti bën dhe diellin dhe shiun mor burrë. Kaq e thjeshtë është.
Mandija: Ai bën konfiskime me marrëveshje të ligjshme. Nëse flet për zbatim ligji, për delikuentë në këtë shtet dhe janë investitorët, investitorët dhe qytetarët kanë ndërtuar sepse i kanë lënë këto autoritetet që marrin rrogën nga taksapaguesit. Sa nga këto ka dënuar Rama? Ndërkohë procesin po e bën pikërisht me këta persona. Po dënon qytetarët dhe jo ata që kanë lejuar këtë situatë paligjshmërie.
Gjokutaj: Që ta përmbledhësh të gjithën në një fjali është e vështirë. Unë i mbetem asaj të parës, që shkatërruesi asnjëherë nuk bëhet ndërtues. Nuk është vetëm shembje e një objekti, është vrasje e një ëndrre dhe një shprese për të gjithë.
Çani: Shqipëria as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të bëhet, ndaj këshilla ime modeste për ata që na dëgjojnë, sa më shpejt të kenë mundësi të largohen nga ky vend aq më mirë do jetë jeta e tyre. Unë bëj thirrje për largim masiv. Unë jam i bindur, faktet që po shohim mbrapa nesh, duhet të jesh shumë idiot të mos kuptosh se çfarë tmerri na pret përpara. Kjo është fjala ime e fundit.
Mandija: Unë i bëj thirrje autoriteteve të drejtësisë, të ushtrojnë funksionet, t’i thonë stop marrëzisë dhe çmendurisë të një qeverisje që është kundër ligjit dhe vetëm kështu do të kthehet shpresa dhe qytetarët nuk do largohen nga Shqipëria.
Lubonja: Ndal politikave krimi ndjell krimin.