Nga hapat e mëdhenj në inteligjencën artificiale, deri tek arritjet e jashtëzakonshme në Kampionatin Evropian të Futbollit, këto janë pesë figurat që lanë gjurmë më 2024:
Jensen Huang: Manjat çipash
Në tërë situatën me entuziazëm – dhe frikë – rreth inteligjencës artificiale (IA) më 2024, një gjigant çipash të IA-së është dalluar nga shumica: Nvidia, e udhëhequr nga shefi ekzekutiv, Jensen Huang.
Përgjatë rrjedhës së vitit, Nvidia kaloi Apple-in për t’u bërë kompania më e madhe në botë për nga vlera në treg, teksa bumi i inteligjencës artificiale vazhdoi të ngazëllojë Wall Street-in.
I dallueshëm nga xhaketa e zezë prej lëkure që zakonisht vesh, Huang, i lindur në Tajvan, themeloi Nvidia-n tri dekada më parë.
Në thelb të suksesit të tij të ri janë procesorët apo kartelat grafike – çipa me kapacitet dukshëm më të madh sesa mikroprocesorët konvencionalë.
Kompania e Huangut zbuloi se teknologjia, e krijuar për të përmirësuar cilësinë grafike të videolojërave, ishte shumë e përshtatshme për ndërtimin e modeleve të mëdha gjuhësore që fuqizojnë IA-në gjenerative.
Yulia Navalnaya: Kritike e patundur e Kremlinit
“Kundërshtari im politik është Vladimir Putin, dhe unë po përpiqem dhe do të bëj gjithçka që regjimi i tij të rrëzohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Yulia Navalnaya, e veja e udhëheqësit të ndjerë opozitar rus, Alexei Navalny, në tetor.
Navalnaya, 48-vjeçare, e cila është ekonomiste, ka fituar simpatinë e publikut si pjesë e zotimit të saj për të vazhduar punën e bashkëshortit të saj, pasi ai vdiq në shkurt në një burg në Arktik.
Ajo ka lobuar kundër Qeverisë së Putinit nga jashtë vendit, përfshirë thirrjen e saj në ditën e zgjedhjeve në mars, që rusët të formojnë radhë të gjata jashtë qendrave të votimit në shenjë proteste.
Në korrik, Navalnaya, e cila jeton jashtë Rusisë, u shtua në listën e zezë të “terroristëve dhe ekstremistëve” nga Moska.
Gisele Pelicot: Ikonë feminizmi
Shtatëdhjetë e dy vjeçarja Gisele Pelicot ka qenë në qendër të një prej gjykimeve të profilit më të lartë në Francë, duke zënë kryetitujt e mediave nëpër botë.
Ish-bashkëshorti i saj, Dominique Pelicot, ka pranuar ta ketë droguar asokohe bashkëshorten e tij me qetësues, në mënyrë që njerëz të panjohur të mund ta abuzonin atë seksualisht në shtratin e saj për pothuajse një dekadë.
Më 19 dhjetor të këtij viti një gjykatë në Francë e dënoi Pelicotin me 20 vjet burgim për drogimin dhe përdhunimin e vazhdueshëm të atëherë bashkëshortes së vet Gisele Pelicot për gati një dekadë, si dhe për rekrutimin e burrave të tjerë për ta përdhunuar atë.
Dominique Pelicot, 72 vjeç, u deklarua fajtor për akuzat gjatë gjyqit tremujor dhe i kërkoi falje familjes. Prokurorët kanë kërkuar dënime me burgim prej katër deri në 18 vjet edhe për 50 të pandehurit e tjerë në këtë rast.
Rasti ka hedhur dritë mbi sjelljet e burrave dhe dhunën kundër grave.
Në një hap që ka ngjallur mbështetje globale, Gisele Pelicot ka ngulmuar që gjykimi të jetë i hapur për publikun.
“Kam dashur që të gjitha gratë, të cilat janë viktima të përdhunimit, t’i thonë vetes ‘Zonja Pelicot e ka bërë këtë, kështu që mund ta bëjmë edhe ne’”, është shprehur ajo.
Lamine Yamal: Magjistar i futbollit
Një prej mbretërve të krahut të Spanjës, 17-vjeçari Lamine Yamal u bë yll global i futbollit, pasi formoi një pjesë të sulmit më shpërthyes të Kampionatit të sivjetmë Evropian të Futbollit, Euro 2024.
Ai dhe anësori tjetër adoleshent, Nico Williams, u lëvduan si magjistarët sulmues që shtynë përpara triumfin e katërt rekord të Spanjës në Euro.
Yamal, me fytyrë fëmijërore dhe proteza në dhëmbë, është produkt i ekipit të të rinjve të FC Barcelonës, dhe aktualisht është një prej talenteve më të mëdha të klubit të njohur.
Gjatë kampionatit Euro 2024, si 16-vjeçar ai u bë golashënuesi më i ri në historinë e garës, ndërsa festoi ditëlindjen e 17-të një ditë para finales.
“Pamë një gjeni, bëmat e një gjeniu”, tha trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, teksa fliste për lojtarin e tij gjatë turneut.
Yamal u shpall lojtari më i mirë i ri i kampionatit.
Charli XCX: Fenomeni “Brat”
Sensacioni i popit britanik, Charli XCX, veçse ishte një prej yjeve më mëdhenj të vitit 2024, me albumin e saj shumë të suksesshëm, “Brat” (Kopile).
Pastaj, Kamala Harris u fut në garën presidenciale amerikane, kur kishin mbetur vetëm edhe 100 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
Fryma e albumit të yllit 32-vjeçar të popit u asociua me Harrisin, kur mbështetësit filluan të aplikojnë filterin “brat” në fotografitë e kandidates demokrate.
Më pas, Charli XCX, emri i vërtetë i së cilës është Charlotte Emma Aitchison, vetë aprovoi një gjë të tillë, gjë që u përqafua shpejt nga ekipi i fushatës së Harrisit.
Në nëntor, pak ditë para se kandidatura e Harrisit të përmbyllej me humbje në zgjedhje, fjalori Collins e shpalli “Brat” si Fjalën e Vitit./REL