TIRANE – E përditshmja italiane “Il Giornale” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë numrit të sipërmarrësve italianë që kanë vendosur të investojnë në Shqipëri. Sipas gazetës, numri i lartë i investitorëve lidhet me lehtësirat ekonomike dhe financiare që qeveria shqiptare ka vendosur për investitorët e huaj.

Në artikullin me titull “Të jetosh me 15% taksa, është vetëm një orë larg Italisë”, “Il Giornale” thekson se krahasuar me vendet e tjera është shumë e lehtë për sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri, ku një biznes mund të hapet brenda një dite, dhe ku ofrohen lehtësira fiskale.

Sipas artikullit të gazetës italiane, janë rreth 20 mijë shtetas italianë që kanë vendosur të vijnë dhe investojnë në Shqipëri, duke nënvizuar lehtësirat që u ofrohen, dhe më konkretisht shmangien e burokracive dhe me një taksë jo më të lartë se 15%.

Duke iu referuar lehtësirave të lartpërmendura nga e përditshmja italiane, kryeministri Rama thekson në një reagim në rrjetin social “Facebook”, ku publikon edhe faqen e parë të gazetës “Il Giornale”, se tashmë lehtësirat e krijuara nga qeveria shqiptare janë një fakt.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: