Nga: FATMIRA NIKOLLI-TIRANE – Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka, tregon për “GSH” se fondi i QKK për filmat e gjatë artistik ishte 60 000 000(600 milionë lekë të vjetra). Në mbledhjen e bordit të para dy ditëve, janë përzgjedhur edhe filmat që do të financohen nga kjo qendër. Titujt e tyre janë: “Gold”, skenari dhe regjia Bujar Alimani, producent “’90 Production”; “Ndërkombëtarët”, skenari Ylljet Aliçka, regjia Pluton Vasi, Ervin Kotorri, shtëpia kinematografike “Art Film P&D”; “Të thyer”, skenari dhe regjia Edmond Budina, shtëpia kinematografike “AB Film” dhe “Në anën tjetër të detit”, skenari Pierre Maillard, Spartak Pecani, regjia Pierre Maillard, shtëpia kinematografike “Eclipse S.A. Film Production”.
I pyetur për filmat që janë financuar më herët nga kjo qendër dhe që ende kanë përfunduar, Butka tregon se filmat e financuar dhe të pa mbaruar ende janë “Engjëjt janë larg” me regji të Gjergj Xhuvanit, film artistik me metrazh të gjatë dhe “Puthjet etnike” me regji të Jani Zhonges, film i animuar. “Filma që janë bërë gati por kanë për të realizuar premierën janë “Bota” me regji të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit si edhe filmi dokumentar “Deti i diturive” H.Tahsini me regji Kujtim Gjonaj”, -sqaron Butka.
Mandej, pyetjes se mbi ç’kritere përzgjidhen filmat dhe pse nuk është financuar filmi “E penguara” skenari i të cilit bazohej në romanin e Ismail Kadaresë, Bukta i përgjigjet: “Vendimet për filmat fitues i merr Këshilli i Miratimit të Projekteve”, thotë ai.
Një pikë kyçe në realizmin e filmave është gjetja e fondeve. Në mbledhjen e para dy ditëve, gjatë prezantimit të filmave, në kohën që edhe media ishte e pranishme, mundësitë e tjera të financimit, përveç shumës që marrin prodhimet nga QKK, ishin tema më e nxehtë. A është pasur parasysh kjo gjatë miratimit të projekteve? Mbetet e paqartë. Për aq kohë sa kriteret nuk bëhen të ditura, nuk ia vlen të aludosh. Megjithatë, para se Ilir Butka të vinte në krye të QKK-së, ia kish dalë mbanë jo pak të gjente fonde pranë organizatave të huaja që kanë në fokus të punës së tyre filmin. I pyetur se ç’po bëhet në këtë drejtim, pra për sigurim fondesh, Butka përgjigjet: “QKK dhe unë personalisht jemi të impenjuar për rritjen e buxhetit të këtij institucioni si nga qeveria edhe nga burime alternative brenda dhe jashtë vendit. Në këtë drejtim janë marrë një sërë nismash dhe hapash konkretë duke filluar nga nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet homologe të huaja, pjesëmarrje në projekte rajonale për thithjen e investimeve nga BE dhe deri tek gjetja e produksioneve të huaja të interesuara për të sjellë investimet e tyre në shtetin shqiptar duke përfituar nga avantazhet që vendi ynë ofron aktualisht”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb