Dy trajnerë që nuk e kanë provuar shijen e humbjes këtë sezon në Superiore do të përballen të shtunën. Bëhet fjalë për Ilir Dajën dhe Veselinoviç, që do të drejtojnë derbin mes Dinamos dhe Partizanit.

Veselinoviç mori drejtimin e Partizanit në javën e tretë të Superiore. Prej atëherë numëron katër fitore dhe gjashtë barazime. 18 pikë të grumbulluar në dhjetë ndeshje, që japin një mesatare 1.8 pikë për javë.

Në anën tjetër, Daja e nisi te Dinamo në javën e katërt, pikërisht në derbin kundër Partizanit. Nëntë ndeshje në total prej atëherë ku Dinamo ka grumbulluar 17 pikë. Mesatarja është 1.88 pikë për javë nga trajneri i bluve.

Kështu mund të thuhet që timonieri i Dinamos ka bërë disi më mirë, ndërsa të dy do të përballen si të pamposhtur. Sfida e parë mes tyre përfundoi në barazim 2-2, teksa spektakli zgjati nga fillimi i ndeshjes dhe deri në sekondat e fundit.

E radhës luhet në “Elbasan Arena”. Ditën e shtunë, ora 17:00 me një takim që pa frikë mund të konsiderohet dhe supersfida e javës. Kujtojmë se Partizani ndodhet në krye, me po aq pikë sa Vllaznia, dhe vetëm një pikë më shumë se Dinamo e vendit të tretë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb