NGA IV KALOÇI*

Sot për herë të parë, ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, po publikojmë intervistën me zotin Ilir Demaliaj, një nga eksponentët kryesorë të ngjarjes së 2 korrikut të vitit 1990, e cila njihet ndryshe edhe si çarja e bllokut të ambasadave. Por kësaj here Demaliaj tregon në intervistën e mëposhtme, episodin tejet interesant të përballjes së tij me Enver Hoxhën në rrugën kryesore të Bllokut në vitin 1980. Kjo ngjarje befasuese për kohën na u dëshmua në intervistën e dhënë një javë më parë nga ish-oficeri i Sigurimit pranë Bllokut, zoti Skënder Lama.

Njëkohësisht, në këtë intervistë, Demaliaj tregon gjithashtu edhe arsyet e vërteta të dënimit të babait të tij Binak Haxhia Demaliaj, dhe kalvarin e vuajtjeve të familjes së tij nga regjimi i kohës. “Por ajo ngjarje e veçantë që më ka mbetur në mendje gjatë kësaj periudhe, do të ishte një episod i çuditshëm dhe njëkohësisht kurajoz për kohën. Gjatë punimeve për rikonstruksionin e vilës së Mehmet Shehut në vitin 1980, një punëtor, pasi pikasi Enver Hoxhën duke bërë shëtitjen e tij të zakonshme në rrugën kryesore që i ndante këto dy rezidenca, papritur kërceu nga kangjellat dhe në mënyrë të shpejtë iu afrua vetë atij dhe i tha: ‘Shoku Enver, babain tim e kanë arrestuar dhe dënuar totalisht kot dhe pa asnjë arsye. Iu lutem, shikojeni këtë punë”.

Aty për aty, i gjithë grupi i shoqërimit shtangu, pasi një gjë e tillë nuk kishte guxuar të ndodhte kurrë më parë. Në këtë moment Enver Hoxha pohoi diçka me kokë dhe nuk foli, ndërsa Sulo Gradeci, që ishte aty pranë, i urdhëroi rojet ta nxirrnin jashtë rrethimit me kujdes, pa zhurmë dhe pa bujë punëtorin e skelës, që me sa më kujtohet kishte mbiemrin Demaliaj dhe vinte nga Tropoja. Më pas, nuk u mor vesh se ç’ndodhi me këtë punëtor, por ai nuk u pa të punonte në vilën e Mehmetit pas këtij incidenti.”

Zoti Demalia, pas intervistës së Skënder Lamajt, oficerit të Sigurimit në bllokun e udhëheqjes, ku ndër të tjera ai flet për një njeri me mbiemrin Demaliaj për një incident brenda në Bllok, në kërkimin tonë na thanë se personi në këtë incident jeni ju. Si qëndron e vërteta?
E lexova atë çka shkruan Lamaj, ka ndodhur si ngjarje dhe kam qenë unë. Ka disa pasaktësi që më lënë të kuptoj se Lamaj nuk ka qenë në momentin e ngjarjes, pra duhet ta ketë me të dëgjuar. Ka disa pasaktësi, p.sh. kur thotë “Demaliaj vinte nga Tropoja”, që nënkupton se unë kisha ardhur nga Tropoja për këtë gjë. Unë jam lindur, rritur dhe kam punuar në Tiranë, im atë ka ardhur nga Tropoja në moshën 14-15 vjeç. Janë disa gjëra që krijojnë konfuzion, por ngjarja në vija të trasha është ashtu.

Para se të dalim tek incidenti juaj në Bllok, deshëm të dinim arsyet se përse ishte dënuar babai juaj? Si është kjo histori?
Po mundohem ta shtjelloj sa më shkurt për të arritur në incidentin në Bllok. Që nga viti 1973 deri ditën kur u arrestua, në 11 mars 1975, (ishte larguar nga Ministria e Brendshme për arsye ‘shëndetësore’ në vitin 1971, ku ishte në sektorin e Kundërzbulimit pas kthimit të studimeve në ST Petesburg, atëherë Leningrad, që nga viti 1961), im atë, Binak Haxhia Demalia, ishte me punë shef protokolli në Tregtinë e Jashtme. Arrestimi ndodhi pasi im atë kishte shoqëruar dy kosovarë që kishin ardhur për marrëveshje biznesi nga Kosova jashtë zyrave të Tregtisë së Jashtme. Një gjë e tillë nuk lejohej në rregullat e protokollit.

Pra nuk duhej të ishte vetëm, duhet të ishin së paku dy vetë. Të nesërmen apo pas dy netësh, im atë, i cili ishte dhe pak i dehur, pasi ishte i dhënë mbas pijes, kapet me fjalë në hotel “Dajti” me Feçor Shehun rreth incidentit me biznesmenët kosovarë. Dhe si rezultat i këtij debati me zv.ministrin e Brendshëm, vjen pezullimi nga puna, të cilin nuk kishte pranuar ta firmoste Kiço Ngjela, ministri i Tregtisë së Jashtme në atë kohë nga ku varej im atë.

Ç’ngjau më pas me babanë tuaj?
Në datën 9 apo 10 mars 1975, im atë shkon në zyrën e Sekretarit të Parë të Tiranës (në atë kohë Manush Myftiu), për t’u shprehur kundër masës së pezullimit. E pret sekretarja e tij, Shpresa Kasimati, e cila do të ishte e vetmja dëshmitare në gjyq për akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Pasi del nga zyra e sekretares së Manush Myftiut, lëshohet një deklaratë e saj me urdhër, se gjoja im atë, në bisedë e sipër paska thënë ndërmjet të tjerave: “Unë do të vras Enver Hoxhën dhe do të arratisem”. Si rezultat, më 11 mars të 1975-ës, tim atë e arrestuan në shtëpi rreth orës 21:00.

A qëndronte ajo që kishte thënë sekretarja e Manush Myftiut për babanë tuaj, pra, se Binak Demaliaj do vriste Enver Hoxhën dhe do arratisej?
Absolutisht jo! Babait as nuk i kishte shkuar kurrë në mendje një gjë e tillë!

Po gjatë hetuesisë, a e pranoi akuzën?
“As gjatë hetuesisë nuk e pranoi akuzën. Bëri plot 6 muaj hetuesi, ku hetues ishte kryetari i Hetuesisë në atë kohe, Ali Korbi, dhe nuk e pranoi akuzën.

Po në gjyq?
Nuk e pranoi as në gjyq.

Si e kujtoni gjyqin e babait, ju lejuan ju si familje të merrnit pjesë?
Gjyqi u zhvillua në gusht të 1975-ës me dyer të mbyllura, dhe u lejuam vetëm ne si familje. Akuza ishte “Agjitacion e propagandë”, për atë që kishte dëshmuar Shpresa Kasimati, e vetmja dëshmitare për këtë akuzë. Im atë nuk pranoi asgjë nga akuza, duke kundërshtuar gjatë seancave të mbrojtjes, pasi në atë kohë nuk kishte avokat mbrojtës dhe i pandehuri mbrohej vetë.

E kujtoni mbrojtjen që bëri babai nga ajo akuzë mjaft e rëndë ku mund të shkoje në plumb?
Po, e kujtoj pak a shumë. Në mbrojtje babai tha: “Në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, thëniet e të pandehurit dhe të dëshmitarit merren si të barasvlershme kur nuk vërtetohen nga një dëshmi e tretë. Pra, nuk mund të dënohesh me një dëshmitare se përbën shkelje të procedurës penale. A mundet një njeri që ka planifikuar apo shkuar nëpër mend një akt i tillë të shkojë dhe të denoncojë veten në zyrën e Sekretarit të Parë të Tiranës?! Në qoftë kjo është e vërtetë, kemi të bëjmë me një të sëmurë psikik, si rrjedhim, i papërgjegjshëm për thënien e tij, dhe si i tillë nuk mund të merret i pandehur. E po të ishte e vërtetë, në bazë të Kodit Penal, nuk e kap neni 55, ‘Agjitacion e propagandë’, por ‘Përgatitje për terror’, gjë së cilës, siç jam shprehur gjatë seancës, i mungojnë të gjithë elementet e provës, si në fakte, edhe në logjikën juridike.”

Cila ishte fjala e tij e fundit, pra çfarë kërkoi nga trupi gjykues?
Në fjalën e fundit kërkoi pafajësi.

Cili ishte vendimi i gjyqit, pra sa u dënua?
Pas një muaji që u krye gjyqi, kryetari i trupit gjykues, Fiqiri Haxhiademi, që njëkohësisht ishte edhe nënkryetar i Gjykatës së Tiranës, i dha dënimin me 4 vjet heqje lirie. Tre vjet për “Agjitacion e propagandë” dhe një vit për “Shpërdorim detyre” për shoqërimin që u kishte bërë biznesmenëve kosovarë.

Ku e vuajti dënimin?
Dënimin e vuajti në kampin e Ballshit, ku mbas një viti të vuajtjes së dënimit, i kanë shkuar aty në burg dhe i kanë kërkuar të pranojë fajësinë dhe ta lirojnë pa kryer dënimin 4 vjet. Por babai përsëri nuk pranoi asgjë.

Pas dënimit të babait, ju si familje, çfarë pasojash patët?
Pas kësaj, nënën time e çuan pastruese, tim vëlla 14 vjeç, në Ndërmarrjen Komunale për të pastruar banjat, ndërsa mua, në moshën 17 vjeç, më çuan në punë në gurore dhe më pas për të hapur rrugën e Antenës në Dajt. Pas një viti në fermën “Gjergj Dimitrov”, për të hapur tokat e reja në kodrat në Sauk. Në janar 1977 më dërguan ushtar në xhenio, në fshatrat Poliçan, Radësh e Gjerbës të Skraparit, ku punonim për të hapur tunelet e ushtrisë.

Kur u lirua babai nga burgu dhe si vijoi jeta e tij më pas?
Babai u lirua nga burgu më 11 mars 1979, dhe filloi punë te magazina e druve tek ish-Stacioni i vjetër i Trenit, ndërsa unë që u lirova nga ushtria në janar 1979, u stabilizova në ndërmarrjen “21 Dhjetori” në ndërtim. Kështu vazhdoi jeta jonë ndër vite, me halle, si financiare dhe të një jete të zymtë pa perspektivë, ashtu edhe me mundime, si shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë që vuanin luftën e klasave.

Pas daljes nga burgu, a vazhdoi babai të kërkonte të drejtën e tij, pra faktin që ishte dënuar për një krim që nuk e kishte bërë?
Im atë, si gjatë burgut, edhe pas daljes nga burgu, u drejtonte letra vazhdimisht institucioneve përkatëse, ku kërkonte shqyrtimin e çështjes dhe këmbëngulte në pafajësinë e tij. Por gjithçka binte në vesh të shurdhër. Në këtë situatë ishim si familje në shtator të vitit 1980, kur unë tashmë isha ‘ngritur’ në detyrë prej disa muajsh, nga punëtor llaçi, në bojaxhi.
(Vijon)

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: