Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë qëndrimit në Bjeshkët e Sharrit, i ka uruar ditën e lindjes poetit të Bjeshkëve të Nemuna, Hamit Aliaj në 65-vjetorin e tij. Kreu i shtetit ka zgjedhur një poezi të tij për ta uruar poetin në fjalë.

Postimi i Metës:

“Këtu nga Bjeshkët e Sharrit, sapo mësova se poeti i Bjeshkëve të Nemuna, Hamit Aliaj, përfaqësuesi dinjitoz i shkollës poetike të Tropojës, por që me krijimtarinë e vet cilësore është bërë edhe zë i rendit të parë të poezisë shqipe, ka ditëlindjen.Ndaj gjej rastin në 65-vjetorin e lindjes, t’i uroj jetë të gjatë sa këngët e shpirtit të tij, dedikuar me aq pasion popullit, atdheut e kombit, e ta shoqëroj këtë urim timin me një nga poezitë e tij të bukura:

 

HISTORI

Luftën e fituam,

Nga fitimtarët,

Asnjë nuk u kthye i gjallë!

Hymni i ri i lirisë

Vetëm dy vargje ka:

“Do vijnë ditë të bukura,

Gjithë krimbat u bënë flutura”!

Ohohhoo, more hej!”-shkruan Meta.

Bjeshkët e Sharrit duket se janë kthyer në një destiancion të preferuar  për Presidentin e Republikës dhe këtë e dëshmojnë fort  vizitat e shpeshta të tij së bashku me familjen atje. Krahas urimit për poetin në ditën e lindjes, Meta me vargjet e këtij të fundit duket se kërkon të përcjellë edhe një “mesazh të koduar” dhe që në thelb si kryefjalë mund të ketë politikën shqiptare si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb