Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e ftuar në studion e News24 ka folur në lidhje me zhvillimet politike në vend, duke u ndalur edhe te aksioni i opozitës.
Xhixho komentoi protestën e 6 dhjetorit ë zhvilluar nga PL para SPAK, duke theksuar se ajo ishte kundër shkeljes së të drejtave të njeriut që ndodhi gjatë arrestimit të liderit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. “Gjithë procedura e arrestimit të tij ishte një vendim politik i marrë nga Edi Rama dhe zbatuar nga ministri i Brendshëm dhe strukturat e tij më tej,” shtoi Xhixho.
Ajo përmendi rolin e Ilir Metës në arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi dhe nënvizoi se ky proces ka pësuar deformime gjatë implementimit.
“Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, dhe qytetarëve dhe SHBA-së i intereson që ajo të jetë e pavarur dhe me integritet. Duhet të ketë hetime për të gjithë ata që janë të përfshirë, por çështja është se sa ndikohen këto hetime nga politika,” deklaroi Xhixho.
Xhixho u shpreh se lideri i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, po përballet me një persekutim politik, pasi po mbahet në burg. Sipas saj, qëllimi ka qenë të izolojnë politikisht Metën për të fshehur të vërtetat që Partia e Lirisë ka thënë për korrupsionin dhe koncesionet.
Ajo njoftoi po ashtu se Partia e Lirisë do të jetë prezente në protestën e thirrur nga PD dhe Sali Berisha në 23 dhjetor.
“Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike i bashkon një kauzë e përbashkët dhe do të jemi pjesë e protestës së thirrur nga PD dhe Sali Berisha në datën 23 dhjetor. Na duhet një qeveri teknike si një standard për çdo proces zgjedhor dhe jo vetëm për këtë”, përfundoi Xhixho.