Zv/presidentja e PL, Erisa Xhixho iu drejtua me anë të një fjale punimeve të Konventës së Partisë së Lirisë për Tiranën.
“Forca jonë është bashkimi. Frymëzimi ynë është sakrifica. Sakrifica e Presidentit Ilir Meta. Por edhe sakrifica e çdo shqiptari të ndershëm, e çdo shqiptari patriot që e do familjen si atdheun dhe atdheun si familjen”, u shpreh Xhixho.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit, Xhixho tha se ato do jenë një betejë për Partinë e Lirisë.
“Dhe ja ku jemi sot në këtë sallë më të bashkuar, më të vendosur e guximtarë, që Partia e Lirisë të jetë pas 11 majit të zgjedhjeve Liria e Shqipërisë. Betejat që na presin nuk janë të lehta. Por ne në beteja kemi lindur e në beteja jemi rritur. Ne jemi Parti e Betejave”, tha deputetja e PL.
Pjesë nga fjala e zv/presidentes së PL, Erisa Xhixho
Çfarë përgjegjësie!
Dhe çfarë emocioni të marr fjalën pas Presidentit të Partisë së Lirisë, i cili prej izolimit ekstrem ku e ka mbyllur pushteti, na frymëzon me shembullin e tij si qëndestrar i rendit të parë. Që të gjithë ne të jemi bashkë sot më shumë se kurrë, që drejtësia ta mundë padrejtësinë, që e vërteta ta mundë mashtrimin dhe që liria të fitojë mbi frikën dhe ta ndrijë jetën e çdo shqiptari në Shqipërinë tonë.
I nderuar Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta,
Motra dhe vëllezër,
Të dashur anëtarë të konventës së Tiranës!
Ne sot jemi të gjithë bashkë.
Dhe jemi kaq shumë, e shumë më shumë në të gjithë Shqipërinë.
Jemi më të bashkuar.
Jemi edhe më të fortë, ngaqë jemi të bashkuar.
Forca jonë është bashkimi.
Frymëzimi ynë është sakrifica.
Sakrifica e Presidentit Ilir Meta.
Por edhe sakrifica e çdo shqiptari të ndershëm, e çdo shqiptari patriot që e do familjen si atdheun dhe atdheun si familjen.
Motivi ynë është liria, dhe për lirinë ia vlen çdo sakrificë.
Ia vlen edhe sakrifica jote Presidenti Ilir Meta, qëndrestari ynë i madh.
Të rrëmbyen që të na trembnin. Por na trimëruan më shumë.
Të burgosën që të na zhduknin, por na ringjallën edhe më të fortë.
Të izoluan që të na ndanim e përçanin, por na bashkuan dhe na forcuan më shumë.
Dhe ja ku jemi sot në këtë sallë më të bashkuar, më të vendosur e guximtarë, që Partia e Lirisë të jetë pas 11 majit të zgjedhjeve Liria e Shqipërisë.
Betejat që na presin nuk janë të lehta.
Por ne në beteja kemi lindur e në beteja jemi rritur.
Ne jemi Parti e Betejave.
Forca e Partisë së Lirisë ka qenë gjithmonë te rinia, ndaj ata do të jenë si gjithnjë në krye në këtë betejë të radhës me një qeveri të korruptuar dhe që është gati të bëjë gjithçka për një mandat të ri.
Ky regjim ka frikë nga të vërtetat e mëdha që Ilir Meta ka thënë para shqiptarëve për këtë qeveri të lidhur fort me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. Ilir Meta nuk është sot fizikisht këtu sepse drejtësia po përdoret si armë kundër opozitës.
Ne kemi vendosur t’i qëndrojmë përballë këtij regjimi, sepse kemi ditur gjithmonë ta kthejmë në forcë çdo goditje dhe përpjekje për të na përçarë.
Prej disa vitesh, Shqipëria po përballet me një dramë të madhe: shpopullimin.
Alarmin për këtë fenomen që po gërryen heshturazi vendin prej disa vitesh e ka ngritur i pari presidenti Ilir Meta. Shoqëria po humb vitalitetin, vendi po humb fuqinë punëtore dhe skema e pensioneve është në rrezik.
Nga viti 2011 deri në 2022, nga Shqipëria janë larguar mesatarisht rreth 512 mijë persona, 70 për qind e të cilëve të rinj. Universitetet publike humbasin gati 3 000 studentë në vit. Brenda vitit 2030 në universitetet publike do të kemi pak më shumë se gjysmën e studentëve që kemi sot.
Dua të ndalem në mënyrë të veçantë te arsimi, që tregon më shumë se cilido sektor tjetër, përmasat dramatike të shpopullimit të Shqipërisë. Shkollat dhe universitetet po braktisen, numri i mësuesve po bie dhe raportet ndërkombëtare tregojnë se analfabetizmi funksional është ulur këmbëkryq në institucionet arsimore.
Raporti i PISA-s një vit më parë na tregoi se qeveria ka dështuar në mënyrë spektakolare me arsimin, UNESCO pak ditë më parë e vuri theksin te buxheti mjeran që qeveria i ka dhënë arsimit. Premtimi për buxhetim në masën 5% e PBB për arsimin është mashtrimi më i madh i kësaj qeverie. Aktualisht, buxheti i arsimit është sa gjysma e këtij objektivi.
Rrjedhimisht:
Mësuesit janë më të keqpaguarit në rajon dhe Europë
Degët e mësuesisë po braktisen masivisht
Të rinjtë po largohen për t’u arsimuar jashtë vendit. Sot kemi rreth 55 mijë studentë më pak se në vitin 2013
Shkollat po mbyllen me një ritëm të frikshëm. 295 shkolla janë mbyllur në 10 vite qeverisje nga Rilindja
Numri i nxënësve po bie, si pasojë e emigrimit të familjeve. Sot në bankat e shkollave kemi 125 mijë nxënës më pak se 10 vite më parë
Programe studimi mbyllen çdo vit dhe mesatarisht 100 degë rrezikojnë mbylljen plotësisht.
Partia e Lirisë e ka rimëkëmbjen e arsimit një prej pesë prioriteteve të planit të saj. Ne besojmë fort se vetëm duke ringritur arsimin, do të ringremë Shqipërinë.
● Ne do të dyfishojmë buxhetin e arsimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit.
● Ne do të dyfishojmë pagat e mësuesve dhe do të mbështesim financiarisht studentët që zgjedhin degët e mësuesisë.
● Do të trajtojmë me investime prioritare degët e teknologjisë dhe informacionit.
● Degët e mësuesisë do të konsiderohen degë prioritare dhe do të shoqërohen me mbështetje financiare për studentët dhe mësuesit.
● Inovacioni në Shqipëri do të financohet mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Arsimi është rruga që çon përpara çdo shoqëri. Ne jemi të vendosur t’i japim fund mashtrimit të Edi Ramës për arsimin, të vetëdijshëm së kemi shumë për të bërë, por të bindur sepse kemi me vete vullnetin e qytetarëve të lirë!
Ne duhet të dëshmojmë forcën tonë dhe besimin se asgjë nuk mund të na ndalë kur është fjala për t’u rikthyer shpresën shqiptarëve e për të ringritur Shqipërinë.
Në javët që vijnë, fokusi ynë kryesor duhet të jetë tek komunikimi me qytetarët, njohja me programin tonë dhe strategjitë për ta rivënë qeverisjen në shërbim të qytetarëve
Ne duhet të shkojmë derë më derë e shtëpi më shtëpi, me qëllim që qytetarët e gjithë Shqipërisë të ndjejnë që jemi me ta dhe se interesi ynë nuk është interesi personal i secilit prej nesh dhe as interesi i Partisë së Lirisë, por të kuptojnë se në themel të të gjithë angazhimit tonë është interesi i Shqipërisë.
Për lirinë e Shqipërisë lufta nuk ka çmim. Ne nuk kemi zgjedhje tjetër, veçse të luftojmë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të fitojmë!
Por që të fitojmë duhet të kemi të gjithë parasysh atë që ka thënë Noli i madh:
Rent, or rent, rent e u thuaj
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent kudo, duke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!
Të gjithë tok,
Tok me Marathonomakun e Lirisë Presidentin Ilir Meta,
Tok me cilindo që do familjen dhe shtëpinë e vet,
Që do lirinë dhe Shqipërinë!
(BalkanWeb)