GJILAN – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta është pritur sot në Gjilan, ku është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” në Javën Kuq e Zi të shpallur në këtë qytet me rastin e Festave Kombëtare.

Në takimin e organizuar në Komunë, Metës, titulli i akorduar nga Kuvendi Komunal, iu dorëzua nga kryetari Lutfi Haziri.

Në fjalën e tij të rastit, Meta ka falënderuar i prekur për titullin dhe në fjalën e tij, nuk ka lënë pa kujtuar e përshëndetur edhe një vajzë të vogël dikur, të quajtur Saranda, e cila i kishte mbetur në kujtesë nga vitet kur kosovarët i iknin gjenocidit serb. “Ajo vajzë, – tha Meta, – nuk qetësohej dot, pavarësiht nga gjithçka i jepnin; aty mësova se ajo kishte humbur të gjithë familjen në luftë. Nuk e di ku është sot Saranda, – tha ai, – por Kosova sot është e pavarur”. E duke u rikthyer tek titulli, kreu i Kuvendit tha:

“Jam përpjekur sinqerisht t’iu shpëtoj këtyre titujve, sepse kur bëhet fjala për një politikan aktiv, besoj se çdo kontribut është detyrë dhe përgjegjësi që nuk mbaron asnjëherë. Erdha sot në Gjilan për të festuar sot me ju, ditën e përpjekjeve të përbashkëta për liri, ditën për të shpëtuar kombin nga shkatërrimi dhe nga ndarja, ditë që po e festojmë me shumë gëzim dhe krenari. Unë e konsideroj dhënien e titujve një përpjekje për të bërë më shumë dhe pozicioni i Gjilanit dhe i Anamoravës është shumë i rëndësishëm dhe do të bëhet edhe më shumë në të ardhmen sepse besoj se do shndërrohet në qëndër të rëndësishme bashkëpunimi rajonal.”

Në fund të fjalës së tij, kreu i Kuvendit tha: “Por, nuk mund të rri pa vlerësuar bashkëpunimin që kanë forcat politike, përfaqësuesit e komuniteteve, etnive. Kam vlerësimet më të larta për bashkëjetesën e shkëlqyer të popullit që jeton këtu.

Një mirënjohje nga të gjithë shqiptarët, i takon Gjilanit, – theksoi ai, – për atë mikpritje që i ka afruar bashkatadhëtarëv tanë të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës në kohët e tyre më të vështira se dihet që vatra e tyre më e ngrohtë ka qënë Gjilani.”

ar.sh/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb