Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, deklaroi se Presidenti i Republikës po goditet nga mazhoranca, pasi është i vetmi institucion legjitim në vend.

Në emisionin “Të Paekspozuar”, në News 24, Luan Rama u shpreh se duke goditur Ilir Metën, PS tenton të rrëzojë Kushtetutën dhe Republikën e Shqipërisë, për të çuar endin në kaos. Ashtu si Presidenti Meta, edhe Rama i LSI tha se po bëhet një komplot për të rrëzuar Republikën.

“Kush e kërkon kokën e Presidentit të Republikës do pyesja unë? Sepse Presidenti është sot i vetmi institucion legjitim. Parlamenti nuk është legjitim, drejtësia është jashtë loje, qeveria është produkt i përgjimeve. Presidenti është kryetari i shtetit, garanti i parë i Kushtetutës. Goditja e Metës synon të legjitimojë përpjekjen e nisur prej kohësh, siç e quajti Presidenti, komplot. Një pjesë e shtetit, ekzekutivi, i kundërvihet shtetit. Ka një komplot për të rrëzuar Republikën.

Shqipëria sot nuk është një vend demokratik, se nuk ka respektim të parimeve kushtetuese, nuk është vend pluralist. E vetmja mburojë e Republikës është Presidenti, prandaj duhet goditur, që të bie dhe kjo, e gjithçka të kthehet në një kolaps të madh, siç është duke shkuar, për të legjitimuar atë që po qarkullon. Sot Meta është në ushtrimin e detyrës si kryetar shteti, duke e goditur atë, rrëzohet Kushtetuta, rrëzohet Republika e Shqipërisë. Kjo tendencë do shkojë drejt kësaj”, tha Luan Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: